Hamdi Skeja dhe djali i tij Aldo, i cili vuan nga një sëmundje e rëndë, për gjashtë vite me rradhë janë rropatur spitaleve, në përpjekje që gjendja e të voglit të përmirësohet.
Herë me shpresë dhe herë me pamundësinë për një trajtim jashtë vendit, Hamdiu bën vetëm një premtim ‘’djali im do të jetojë si të gjithë bashkëmoshatarët e tij, me ose pa mua”. Është prind dhe e ndjen më shumë se kushdo tjetër dhimbjen për të birin dhe neglizhencën e institucioneve.
Pak kohë më parë përmes një letre të hapur ai iu lut ministres së shëndetësisë Ogerta Manastirlliu, dhe lutja duket se këtë herë nuk ra në vesh të shurdhët.
Hamdiu dhe Aldo morën përsipër që të dy bashkë të niseshin drejt Ankarasë në pritje të marrjes së lajmit të madh dhe përmirësimit të shëndetit të Aldos.
Mirëpo spitali ku u dërguan nga ana e ministrisë shqiptare, sipas Hamdiut ishte për trajtimin e veteranëve të luftës, dhe nuk përputhej me sëmundjen që vuante djali i tij. Ata u kthyen sërish të zhgënjyer por jo të mposhtur.
Përmes një apeli të bërë sot në ”Fax News”, Skeja u ka kërkuar të 140 deputetëve të Kuvendit që të bëjnë sadopak në mënyrë që djali i tij të kurohet. Ai tregon se ka dy spitale në Greqi dhe në Gjermani që i kanë dhënë shpresë se djali i tij mund të kurohet.
‘’Më çuan në një spital në Ankara që nuk ishte për djalin tim, dhe nuk ma shtruan atje. Kam pasur një takim tjetër me ministren pasi u kthyem, e cila tha se ka dërguar sërish letrat. Përgjigja iu ka ardhur sikur unë kam shkuar në Turqi dhe kam arritur rezultate, gjë që nuk është e vërtetë. Sëmundja e djalit tim nuk do një spital që është për veteranët e luftës.
Më thanë që do i çojnë një kërkesë ministrit të shëndetësisë turke, dhe tani na duhet që të presim. E kam çuar më herët me ndihmën e njerëzve të mij në Kretë të Greqisë, po kostot ishin të papërballueshme.
Mesazhin e fundit ia kam çuar presidentit të republikës, zotit Meta, po ende nuk kam marrë një përgjgje. I kam bërë një thirrje publike deputetëve të Kuvendit, që ashtu si zoti Shehaj dha rrogën për 6 motrat nga Kukësi, ashtu edhe unë do të mund të shëroja djalin tim.
Deri më tani asnjë nga miqtë e mij deputetë nuk më është përgjigjur. Djali së pari do një operacion në shtyllën kurrizore, dhe më pas në kokë.
E kam mbushur shtëpinë me dosje, me grafi, edhe në Gjermani më kanë premtuar që djalin mund të ma ngrenë në këmbë. Ministria shqiptare kishte bashkëpunim vetëm me ministrinë turke, dhe më dërguan në një spital për veteranët e luftës.
Djali im do të jetojë si të gjithë të tjerët, me ose pa mua! Apeli im i si një baba që ka vuajtur rrugëve për gjashtë vjet, kërkoj që të ngrihen të gjithë 140 deputetët dhe të ma dërgojnë djalin jashtë vendit. Le ta llogarisin sikur është një fëmijë i tyre, nuk po kërkoj luksin që ata kanë. Duhet një spital për sëmundjen që djali im ka dhe jo për t’i mbyllur gojën Hamdiut”, u shpreh Skeja për gazetaren e ‘’Fax News’’, Eksiola Shehu.
Letra e plotë që ai iu dërgoi deputetëve:
Po lexoj një lum komentesh pas një deputeti të PD-s që paska dhuruar gjithë mandatin e tij të rrogës për disa fëmijë në nevojë. Nuk po e them jetime sepse të gjithë jemi ose do mbeteni jetim, pa prindër. Si fillim duhet përgëzuar. Por pas kësaj ose njëkohësisht duhet menduar sesa e ka rrogën mujore një deputet?!
Por kjo është çeshtje tjetër . Sepse nuk jam këtu për atë pyetje. Por, a paska deputet që me votat tona janë aty ku janë dhe japin rrogën për fëmijë në nevojë?-Po. Atëherë, parlamenti ka 140 deputet . Përse keta 140 deputet nuk bëhen bashkë të gjithë pa dallim ngjyre dhe besimi politikë dhe të më shërojnë djalin tim, që ka afro 6 vjet që jeton spitaleve?!
Nëse këta 140 deputet bëhen bashkë dhe më japin nga 500 euro nga rroga e tyre pas 1-2 apo tre muajsh Im Bir do kthehet në Atdhe, do kthehet i shëruar. Do vij i shëruar plotësisht. Ja , ja për çfarë vuan im bir. Historinë e djalit tim e dinë nga Pediatria e spitalit Nënë Tereza , Ministrja e shëndetësisë , kabineti i ministrisë së shëndetësisë, Kryeministri, ish-Kryeministri , ish-ministri i shëndetësisë dhe deputet të ndryshëm. Ndaj, unë kurrë s’ju kam kërkuar asgjë deri sot. Bëhuni bashkë , sepse të gjithë bashkë ja dalim.
(E.K/FAXWEB.AL)
Discussion about this post