Në ishullin e Kretës vazhdojnë negociatat mes delegacioneve shqiptare dhe greke, të kryesuara nga ministrat e Jashtëm, Bushati dhe Kotzias.
Korrespondenti i Top Channel në ishullin helen bën me dije se gjatë paradites palët kanë gjetur mirëkuptim, ndërkohë që pasdite është kaluar tek temat më të vështira.
Ka qenë pala greke që ka shtruar në tryezën e bisedimeve Marrëveshjen e Detit, duke paraqitur edhe një hartë, e cila i është dorëzuar palës shqiptare.
Kjo e fundit ka kërkuar kohë për shqyrtimin e saj dhe po vazhdon studimin, duke bërë që përkohësisht dialogu dypalësh të ndërpritet.
Ndërkohë, në orët e mbrëmjes pritet që mes dy delegacioneve të ketë edhe një darkë informale.
Takimi mes dy ministrave të Jashtëm të Shqipërisë dhe Greqisë nisi reth orës 10-të. Në listën e miratuar prej dy Ministrive të Jashtme renditen probleme teknike, të cilat ndikojnë në jetën e përditshme të qytetarëve të të dy vendeve. (B.H/Faxweb)