Ministri i Bujqësisë Edmond Panariti mblodhi sot Task Forcen e cila do të nisë zbatimin e Aktitit Normativ Nr.4 të vitit 2012, “Për Disiplinimin e therjes së kafshëve dhe tregtimit të mishit”.
Por, kjo Task Forcë, e cila do të nisë punën në terren që nesër, do të kontrollojë e monitorojë edhe të gjitha tregjet e kafshëve të gjalla që administrohen nga pushteti vendor.
“Nuk do të ketë më asnjë tolerancë. Çdo treg i gjësë së gjallë që administrohet nga pushteti vendor apo nga privatët e kontraktuar prej tyre që nuk plotëson kushtet dhe kriteret nga Ministria e Bujqësisë, do të mbyllet pa më të voglën mëdyshje. Nga ana tjetër, edhe ajo çfarë shohim në rrugë, therje kafshës më nëyrë brutale, vend e pavend, nuk do të trajtohet siç është trajtuar deri tani, por nëse e parashikon Kodi Penal, për ata persona do të fillojë procedimi penal. Nëse nuk e parashikon, do të propozojmë që të bëhen ndryshime”, ka deklaruar Ministri Panariti.
Në mbledhjet e Task-Force, merrnin pjesë dhe Ministri i Shtetit për Çeshtjet e Pushtetit Vendor, Blendi Çuçi, si dhe Zëvendësministri i Bujqësisë, Roni Telegrafi, Zv.Ministri i Tranporteve, Bahri Shaqiri, Zv.Ministri i Brendshëm, Stefan Çipa dhe përfaqësues të institucioneve të tjera ligjzbtuese.
“Duke filluar nga ky takim, ne duhet të jemi kategorik, të prerë dhe të vendosur, që mishi të mos tregtohet më në kushte të papranueshme. Ndërkohë, edhe ajo që shohim, është një masakër ndaj kafshëve, duke u therur rrugëve e duke u tregtuar mishi pa asnje kriter. Për këto arsye, mendoj që të gjithë këta persona që bëjnë shkelje të tilla, duhet të ndiqen penalisht dhe jovetem të gjobiten apo t’ju sekuestrohet produkti”, theksoi Panariti, duke shtuar se, “kam biseduar me Kryeinspektorin e Inspektoriatit Qëndror, Z.Shkëlqim Hajdari, me qëllim fillimin e çështjeve penale ndaj tyre, nëse e parashikon Kodi Penal, ose nëse jo, të propozojmë ndërhyrje në kod”.
Më tej, Ministri Panariti tha se, unë, por edhe Ministri Çuçi do të jemi kategorik dhe Task Forca, që nesër do të shpërndahet në gjithe vendin, do të kontaktojë me Kryetarët e Bashkive dhe do të shohë tregjet e kafshëve, ndaj të cilave do të merren masa, kur rrezikojnë zinxhirin sipas parimit “nga ferma në tavolinë” dhe nëse nuk plotësojnë kushtet, do të mbyllen rreptësisht.
“Janë të gjithë këta aktorë Task Force, Pushteti Vendor, AKU dhe institucione të tjera. Dhe siç kerkoi dhe Kryeministri ne muajin Nentor 2016, nuk ka më tolerancë dhe shkeljte të ligjit”, vijoi Panariti, duke iu bërë thirrje edhe mediave dhe emisioneve investigative, të cilët i konsideron partnerë, që të denoncojnë çdo rast abuzimi, si dhe iu kërkoi konsumatorëve që të shmangin blerejet në këtë mënyrë.
Ndërkohë, Ministri i Shtetit për Çështjen e Pushtetit Vendor, Z.Blendi Çuçi tha se, “në këto momente, besoj se mund të flasim për një ndërhyrje të thellë, duke mos lejuar askënd që të shmangë zinxhirin e sigurisë ushqimorë.
“Kryetarët e Bashkive nuk mund të tolerohen më, që të kenë tregje në kushtë jashtë standardeve dhe jashtë zinxhirit të sigurisë ushqimore e qe nuk plotesojne kritetet e mirepërcaktuara”, theksoi Çuçi.
Task-Forca do të nisë punën që nesër në të gjithë vendin, ku do të verifikohet situata e tregjeve, do të mbahet nën kontroll lëvizja e kafshëve, verifikimi i matrikujve të tyre, si dhe do të kontaktohet me bashkitë për të gjitha tregjet që nuk ploltësojnë kushtet, të cilat do të mbyllen përfundimisht, ose deri në plotësimin e standardeve të përcaktuara nga Ministria e Bujqësisë.
Po ashtu, në sitën e Task-Forcës do të jenë dhe thertoret, kushtet e tyre, transporti i mishit nga thertoret për në pikat e shumicës apo pakicës të tregtimit, si dhe kontrolli i dyqaneve të mishit. (A.R/SHUPLAKA)