Kontaktet mes Neymar dhe Realit po bëhen gjithnjë e më “intensive” në sytë e atyre që janë të magjepsur pas futbollit, e që janë hipnotizuar nga ideja e të parit të kampionit brazilian në krah të Cristiano Ronaldos.
Megjithatë, ekziston edhe dikush, të cilit i futen drithërima vetëm sa e çon nëpër mend diçka të tillë. Është pikërisht ai që ka kaluar disa vite duke luajtur përkrah Neymarit, ose thënë nga një këndvështrim tjetër, dikush që në realitet nuk i honeps dot madrilenët.
Bëhet fjalë as më pak e as më shumë, por për Lionel Messin.
“Do të ishte e tmerrshme për mua ta shihja atë me fanellën e Realit, jo vetëm në aspektin personal, por për gjithçka ka bërë ai te Barcelona”, shprehet “pleshti” argjentinas. “Do të ishte goditje e fortë, edhe për faktin se do të përforconte ndjeshëm Realin”.
“Por unë kam folur me të dhe ai e di mirë se çfarë mendoj unë”, rrëfen ai për televizionin argjentinas “TyC Sports”.
I pyetur nëse pas mendimit të tij fshihet edhe konkurrenca me Cristiano Ronaldon, ai shpjegon:
“Nuk është ai rivali im, por fakti që e shoh sërish Realin në finalen e Championsit më jep më shumë shtysë, sepse unë vet dua ta fitoj këtë kompeticion çdo vit, e jo vetëm atë por të gjithë titujt e mundshëm, të fitoj gjithmonë”.
Por, a preferon ai t’i arrijë sukseset duke qenë “i pari i klasës”, apo edhe “i fundit” të jetë?
“Nuk më intereson aspak çfarë thuhet lart e poshtë, nëse jam unë më i miri apo jo. Nuk kam dashur kurrë të jem më i miri, i dyti, i treti apo i katërti. Thjesht dua të fitoj për vete dhe për shokët e mi. Sikurse tani dua të fitoj diçka me Argjentinën”, tregon Messi.
Përmend Argjentinën e s’ka si të mos flasë për Botërorin e Rusisë.
“Nëse zhvillojmë një turne të mirë do të thotë që të jemi mes 4 më të mirëve, sigurisht të qenit mes më të mirëve e tregon këtë. Duam të jemi aty pikërisht për historinë tonë. Ëndrra është të shpallemi kampionë në Rusi dhe kjo është më shumë sesa një dëshirë për gjithçka kemi përjetuar. Duam të shkojmë më larg sesa fakti që kemi arritur në 3 finale vitet e fundit, pa arritur të ngrejmë trofeun e kampionit. Kjo po që është një pengesë, të cilën duam ta tejkalojmë”.
Në fund shprehet me nota pozitive edhe për trajnerin e përfaqësueses “Albiceleste”. “Sampaoli përjeton me intensitet të lartë gjithçka bën, jep shpirtin për të na udhëzuar në mënyrën më të mirë. Përpara ndeshjeve, ai është një trajner që të ofron të gjitha informacionet për të cilat kemi nevojë, në mënyrë që të bëjmë punën tonë 100%”.