Pavarësisht se kishte një dënim të përjetshëm të dhënë nga ana e Gjykatës, i gjetur fajtor për akuzën e vrasjes dhe vepra të tjera të rënda penale, në mënyrë të beftë, anëtari i Bandës së Durrësit, Endrit Dokle është lënë i lirë nga ana e Gjykatës së Krujës.
Lirimi i Dokles lidhet me emrin e një gjyqtare mjaft të njohur për vendime të tilla tolerante në drejtim të të fortëve dhe të personazheve të njohura të botës së krimit, Enkelejda Hoxha.
Në kundërshtim dhe me një vendim të dhënë nga ana e Gjykatës Kushtetuese, që i kishte mohuar Dokles lirimin, Hoxha ka vendosur pranimin e lirimit të tij, duke u përballur dhe me vetë Prokurorinë e Krujës, e cila deklaron se një vendim i tillë nuk ka bazë të arsyetuar ligjore.
Hoxha ka liruar Doklen me pretendimin se ai ka kryer 25 vite burg, 3/4 e dënimit dhe pasi një kompani në Durrës ka marrë përsipër punësimin e tij, duke i mundësuar dhe pagimin e sigurimeve shoqërore. Dokle do të jetë në shërbim prove për 5 vite.
Gjyqtara Hoxha ka pasur një përballje dhe me KLD-në, e cila e kërcënoi me shkarkim nga detyra, por që nuk u arrit që ajo të largohej nga sistemi i drejtësisë, ndërsa ende nuk ka kaluar në sitën e Vetingu.
Liroi Genc Tafilin dhe Ilir Pajën
Enkelejda Hoxha është gjyqtarja që ka marrë vendimet për lirimin nga burgu të Ilir Pajës dhe Genc Tafilit. Hoxha është gjyqtare në Gjykatën e rrethit Krujë.
Pak kohë më parë u lirua nga burgu Genc Tafili, i cili kreu 17 vite burg që nga arrestimi i tij në vitin 2000 pasi u akuzua si bashkëpunëtor në vrasjen e kolonel Arben Zylylftarit. Nga gjykata ai është dënuar me 25 vite burg por kreu vetëm 17 të tilla. Genci është është vëllai i Admir Tafilit, edhe ky i dënuar për vrasje.
Një tjetër i dënuar u lirua nga burgu i Krujës dhe ky është Ilir Paja, i cili njihet nga të gjithë me nofkën “Ufo”. Ilir Paja është i njohur për arratisjet spektakolare nga burgjet italiane dhe gjermane. Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, sepse ndaj tij ishte dhënë dënimi për një vrasje të kryer në Gjermani, vendim i cili iu lehtësua nga gjyqtarja Hoxha.
Skandali tjetër
Gjyqtarja Enkelejda Hoxha pak kohë më parë u rikthye në qendër të vëmendjes me një tjeter skandal. Kësaj here gjyqtarja e rrethit gjyqesor të Krujës nëpermjet një vendimi vendosi njohjen e vjetërsisë në punë të Marjana Prenucas, një qytetareje , duke i njohur vitet e punës që në moshën 5-vjeçare.