9 funksionarë publikë të disa institucioneve të ndryshme, janë pezulluar nga puna pasi akuzohen për shpërdorim detyre.
Funksionarët e pezulluar ushtronin detyra në Korçë, Tiranë dhe Kolonjë, kryesisht në drejtoritë e mjedisit dhe pyjeve.
Zyrtarët e pezulluar nga puna janë: Gëzim Pasho, Fjoralba Tota, Marin Shpata, Erion Qelemeni, Julian Muke, Kostandin Dishnica, Paqesor Cane, Olsi Jarazi dhe Jorgji Menkshi.
“Këta shtetas, gjatë kohës që kanë qenë të punësuar në institucionet shtetërore të përmendura më lart, dyshohet se kanë shpërdoruar detyrën, me kryerjen apo moskryerjen e veprimeve me dashje, në kundërshtim me ligjin, duke iu sjellë personave të tjerë, përfitime të padrejta dhe duke dëmtuar interesat e ligjshëm të shtetit, shtetasve dhe personave të tjerë juridikë”, thuhet në njoftim.
Njoftimi i policisë:
Finalizohet operacioni policor i koduar “Green Forest”.
Operacioni i zhvilluar pas një hetimi disamujor, nga Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Korçë, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë, për goditjen e aktivitetit të paligjshëm të kryer nga punonjësit shtetërorë.
Pezullohen nga ushtrimi i detyrës, 9 funksionarë publikë të disa institucioneve të ndryshme.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, nën drejtimin e Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Korçë, pas një hetimi disamujor, finalizuan operacionin e koduar “Green Forest”, gjatë të cilit bënë ekzekutimin e masave të sigurisë me karakter ndalues “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, të caktuar me vendimin e datës 28.03.2022, nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë, për shtetasit:
-G. P., 54 vjeç, banues në Korçë (me detyrë inspektor në Sektorin e Inspektimit të Pyjeve Korçë);
– F. T., 28 vjeçe, banuese në Kamzë, Tiranë (me detyrë drejtore e Drejtorisë së Inspektimit të Pyjeve Tiranë);
– M. Sh., 38 vjeç, banues në Tiranë (me detyrë përgjegjës i Sektorit Operacional në Drejtorinë e Inspektimit të Pyjeve Tiranë);
– E. Q., 39 vjeç, banues në Korçë (me detyrë përgjegjës i Sektorit të Inspektimit të Mjedisit dhe të Ujërave Korçë);
– J. M., 47 vjeç, banues në Korçë (me detyrë inspektor në Sektorin e Inspektimit të Kontrollit të Territorit Korçë);
– K. D., 51 vjeç, banues në Korçë (me detyrë inspektor në Sektorin e Inspektimit të Mjedisit dhe të Ujërave Korçë);
– P. C., 61 vjeç, banues në Ersekë (me detyrë kryeinspektor në Sektorin e Kontrollit dhe Mbrojtjes së Territorit Kolonjë);
– O. J., 52 vjeç, banues në Korçë (me detyrë inspektor në Drejtorinë e Inspektimit të Gazit dhe të Naftës Korçë);
– J. M., 53 vjeç, banues në Korçë(me detyrë inspektor në Drejtorinë e Pajisjeve nën Presion Korçë).
Këta shtetas, gjatë kohës që kanë qenë të punësuar në institucionet shtetërore të përmendura më lart, dyshohet se kanë shpërdoruar detyrën, me kryerjen apo moskryerjen e veprimeve me dashje, në kundërshtim me ligjin, duke iu sjellë personave të tjerë, përfitime të padrejta dhe duke dëmtuar interesat e ligjshëm të shtetit, shtetasve dhe personave të tjerë juridikë.