63-vjeçari Ajaz Ajazi, drejtori i shkollës 9-vjeçare në fshatin Kozare të Kuçovës u arrestua ditën e djeshme pasi dyshohet për akuzat: “vepra të turpshme” dhe “ngacmim seksual”. Ky arrestim erdhi pasi tri nxënëse të shkollës u shprehën se janë ngacmuar seksualisht nga drejtori shkollës, Ajazi, banues në lagjen “Distileria” të qytetit. 63-vjeçari dyshohet se ka ngacmuar tri nxënëset e tij për një periudhë të gjatë prej tre muajsh.
Tri nxënëset e shkollës që kanë bërë denoncimin, nuk e dinin se drejtori i ngacmonte seksualisht të tria, por në një moment ato i janë shprehur njëra-tjetrës për sjelljen e tij. Pas kësaj bisede vajzat kanë njoftuar edhe prindërit e tyre.
Prindërit me t’u njohur me atë që u kishte ndodhur vajzave të tyre janë drejtuar për denoncim në Policinë e Kuçovës, ku kanë bërë prezente ngjarjen. Policia në prezencë edhe të psikologes ka marrë denoncimin e nxënëseve, denoncimi që çoi edhe në arrestimin e menjëhershëm të 63-vjeçarit Ajazi.
Burime të Policisë bëjnë të ditur se nxënëset në kallëzimin e tyre kanë paraqitur fakte që implikojnë drejtorin e shkollës në vepra penale, për të cilat tashmë do të ketë edhe një hetim të thelluar nga ana e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat.
Të tria vajzat mësohet se kanë rrëfyer me detaje ngacmimet që u bënte drejtori i shkollës, i cili u mësonte atyre lëndën e Gjeografisë. Nga ana e tij, vetë Ajazi në momentin e arrestimit nuk ka bërë rezistencë, madje i ka kërkuar vëllait të tij që të qetësojë familjen, pasi sipas tij, akuzat nuk janë të vërteta.
“Rrini të qetë se drejtësia do të zbardhë të vërtetat. Të lutem vëlla më qetëso familjen dhe vëllezërit e nipërit e mi se unë nuk kam kryer asgjë në lidhje me këtë denoncim”, ka deklaruar 63vjeçari në momentin e arrestimit, shkruan një portal online. (J.V/Shuplaka)