I ftuar në studion e Fax News ditën e sotme për të folur për realitetin politik ka qenë deputeti i Ballit Kombëtar Demokrat Artur Rroshi. Duke i cilësuar si të papërmbajtura diskutimet në parlament para votimit të rezolutës për rrëzimin e dekretit të presidentit, Rroshi është shprehur se ishte kundër rezolutës për faktin se bazuar edhe në fjalën e Presidentit theksi vihej në unitetin e shqiptarve dhe në të drejtën për të zgjedhur, dhe se dakordësohej plotësisht me të.
Rroshi shprehet kundër mbajtjes së zgjedhjeve në 30 qershor, ndërsa për krizën në të cilën ndodhet vendi, iua lë përgjegjësinë dy palëve politike pozitë opozitë.
Sipas Rroshit opozita ka marrë vendimin e gabuar kur ka besuar se me djegien e mandateve parlamentare Edi Rama do të tërhiqej. Duke shpresuar që të mos ketë përplasje civile për zgjedhjet e 30 qershorit dhe të gjendet një zgjidhje Rroshi, shprehet pensimist për faktin se një qeverisje tranzitore do të zgjidh ngërcin politik, duke shtuar se ndryshimi i kodit është i nevojshëm.
Intervista e plotë:
Pse morët vendimin për të votuar kundër rezolutës për rrëzimin e presidentit Meta?
E kam ndjekur me vëmendje fjalën e presidentit Meta e cila vinte theksin në unitetin e shqiptarëve dhe e drejta e tyre për të zgjedhur. Kjo është edhe fryma e Kushtetutës, e drejta ekzistenciale e çdo individi për të zgjedhur. Unë nuk pash ndonjë gjë negative në fjalën e presidentit për të mos e mbështetur. Rezoluta dhe të gjitha diskutimet në Parlament ishin të papërmbajtura sipas meje. Çdo ligjvënës duhet të ketë autoritetin e tij dhe në fjalët që lëshon përballë publikut shqiptarë. Nuk duhet që për të marrë një vendim politik të shfrenojmë gjuhën kundër Presidentit të Republikës.
Unë nuk jam për shkarkimin e presidentit, sepse shtohet më tej kriza politike. Ne nuk mund ta gjykojmë për procedurë presidentin. Presidenti sipas meje u nis nga një frymë positive, dhe edhe në qoftë se e ka shkelur Kushtetutën, përderisa është nisur nga një qëllim i mirë ne nuk kemi se pse të most a besojmë presidentin. Ka patur informacionet e tij, dhe duke qenë se është një njeri politik, ka edhe një ndjesi të shtuar.
Të ndodhur përballë kësaj resolute deputetët e rinjë u shprehën se janë gati edhe të dorëzojnë mandatin. Ju vetë personalisht mendoni se duhet argumentuar se pse jeni kundër, apo mendoni edhe për një djegie të mandatit?
Djegia e mandatit është një tjetër gjë. Unë nuk jam natyrë që të flas me parrulla. Në qoftë se nuk ka argument dhe logjikë, unë nuk e marrë mundimin të flas. Balli Kombëtar ka dy deputet në parlament dhe të dy kanë votuar kundër project-rezolutës, me këtë logjikë dhe këto argument që unë përmenda.
Balli Kombëtar Demokrat nuk është opozitë e re, por opozitë e vjetër në Parlament. Ne kemi patur një shkëputje të vogël, por jo nga realiteti. Ajo që unë kam kërkuar në organizimet e rreth 30 tryezave jashtë me partit opozitare jashtë parlamentit është vota e lirë.
Mendoni se vota e lirë e shqiptarëve nuk është kauzë e opozitës? Ka djegur mandatet parlamentare dhe ka dalë nga sistemi duke kërkuar zgjedhje të lira dhe votë të lirë?
Për këtë, pavarësisht rezervave unë dua të besojë që PD-ja ka si kauzë të saj votën e lirë, sepse unë jam pjesë e këtij koalicioni…
Jeni futur në Parlament në marrëveshje më Partinë Demokratike?
Opozita parlamentare dhe opzita jashtë Parlamentit kanë vendin e vetë. Unë kam qenë opozitar jashtë parlamentit dhe sot ndodhem në opozitë brenda parlamentit. Jam ende opozitar, ma thoni ju ndryshimin?
Do të dilni në protesta me opozitën?
Po dal edhe në protesta, çfarë problemi ka? Ne nuk duhet t’i shikojmë gjërat bardhezi…
Jemi të habitur, ju thoni që jemi miq, jemi në koalicion, ndërkohë koalicioni ka marrë një vendim, kanë djegur mandatet dhe kanë dalë nga Parlamenti. Ju thoni unë do shkoj në Parlament sepse…
Po, nuk më kanë pyetur mua prandaj. Kur e kanë marrë vendimin e ka marrë ajo pjesë e cila ka qenë brenda Parlamentit dhe nuk jemi pyetur për një gjë të tillë. Por, kjo është një gjë e tejkaluar tashmë…
Nëse flasim për votën e lirë ajo ka një problem me sistemin, që është kodi zgjedhor. Nuk mund të të themi që vota e lirë bëhet vetëm nga tryeza e opozitës. Sipas meje nuk duhet të iki Edi Rama sot dhe të vij një socialist tjetër nesër. Duhet të iki gjithë Partia Socialiste, pra makineria e filozofisë së majtë duhet të iki e gjitha, jo vetëm shoferi. Duhet ‘ndaluar makina…’
Nëse shohim qeverisjen e opozitës pas marrveshjes me socialistët për të marrë gjysmën e qeverisë, do të thoja se nuk ka funksionuar dhe një gjë të tillë e ka pranuar edhe Basha. Është një dështim i tyre.
Balli Kombëtar për tu sqaruar, nuk është bisht i Partisë Demokratike. Ne jemi opozit e vjetër, jemi marksist liberal për të larguar nga pushteti disa marksistë ekstremist siç janë Partia Socialiste. Unë bashkëpunojë me Partinë Demokratike, por nuk jam bisht i saj.
Cili është qëndrimi juaj për zgjedhjet e 30 qershorit?
Unë nuk jam regjistruar në zgjedhje dhe Balli Kombëtar është në koalicion të heshtur me Partinë Demokratike dhe gjithë partitë opozitare për mosmarrje pjesë në zgjedhje. Si fillim kur i merrni të ftuarit tuaj në studio duhet të mbledhësh informacion për ta. Balli Kombëtar nuk është pjesë e opozitës së re kemi vite në politikë si parti. Në lidhje me zgjedhjet, nuk ka arsye se si të jem unë tani pro shkuarjes në zgjedhje në 30 qershor sepse kjo është no sens. Kjo ishte edhe arsyeja se përse nuk mund të votoja dje, s’mund të dal kundra vetes time.
Mendoni se do të cojnë në një përplasje civile zgjedhjet e 30 qershorit në këto kushte që jemi, jeni në një Parlament me kryeministrin Edi Rama i cili është i vendosur të shkojë në zgjedhje po ashtu ka edhe një dekret në fletoren zyrtare dhe opozita thotë që nuk do të lejojë zgjedhje…
Po thua jeni në një Parlament, sikur thua jam unë i pari që jam në një parlament me Ramën. Por me zotin Rama para meje kanë qenë të gjithë ata që kanë dalë sot jashtë, dhe brenda natës nuk ndryshojmë dot nonjë gjë. Zoti Rama është ai që ka qenë dje edhe sot. Thelb logjik këtu nuk ka. Nuk përbën ndonjë problem se pse unë jam opozitar në parlament. Kaq! Dinjitetin dhe autoritarizmin tim do ta tregojë edhe në vazhdimësi, kjo është. Këtu mbyllet argumentimi edhe për ata persona të cilët janë skeptic.
Atë të djathtin dhe të majtin nuk mund ta bëjnë me Ballin Kombëtar demokrat. Kaq! Unë uroj që përplasje civile të mos ketë. Dëshiroj që zgjedhjet e 30 qershorit të shtyhen. Zoti Rama duhet t’i thërras arsyes.Presioni që bëhet nga opozita është fare i qartë, fare i sinqert. Zoti Rama duhet të ketë guximin të pranojë se qeveriset në botën demokratike aq sa pranon kundërshtari. Nuk qeveriset vetëm këtu. Dhe në qoftë se nuk pranon kundërshtari nuk mund të marrësh pushtet. Është një lloj marrëveshje edhe pjesa e të mbajturit pushtetin. Me djegien e mandateve të opozitës nëse Rama do të kishte sedër, pra të vritej nga sedra e tij do të bënte dorëheqje sepse ky është një veprim ekstrem i ndërmarr. Zoti Rama nuk pati çka do të thotë që vlerëson pushtetin më shumë sesa moralin. Pastaj vijmë tek kalkulimi i dytë, që opozita bëri veprim gabim, sepse u bazua te morali kur kryeministri të mund të mos ketë moralin. Prandaj ne jemi edhe në një ngërç të tillë. Edhe për shkak të disa kalkulimeve të gabuara nga opozita.
Mund të realizohet në Shqipëri një qeverisje tranzitore në kushtet që jemi?
Kjo mund të bëhet, por nuk është se ka ndonjë besueshmeri për zgjedhjet e lira… shiko zgjedhjet dhe vota e lirë nuk vjen kur bëjmë një qeveri dhe kjo qeveri ka vullnetin për ti bërë të mira kur kodi zgjedhor… E di çfarë është kodi zgjedhor? Është një marrëveshje për të legalizuar vjedhjen ose fuqinë e më të fortit. Kaa është. Marrveshje midis dy palëve… midis PD-së dhe PS-së. Pra ne duhet rrënjësisht të fusim votën e lirë me ligj. Pastaj është vullneti. Nuk mund të funksionojë vullneti pa patur bazën ligjore. Megjithatë po shohim se edhe zoti Basha po e artikulon votën e lirë kohët e fundit.