Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani, ka vazhduar me mesazhet e tij lidhur me situatën politike në vend. Nga qyteti i Beratit ku ndodhej, ai u ka bërë thirrje forcave politike që të dialogojnë për të zgjidhur krizën politike.
Ai është shprehur se mirëkuptimi dhe respektimi i standardeve është i detyrueshëm për të gjitha palët. Nishani theksoi rëndësinë e dimensionit civilizues, e të një kulture të maturuar.
Kreu i Lartë i Shtetit tha nga Berati se historia na ka mësuar se dialogu është mjeti më i mirë.
“Historia na ka mësuar që dialogu është mjeti më i mirë, por përmes dialogut arrihet edhe kompromisi, mirëkuptimi dhe respektimi i standardeve, të cilat janë të detyrueshme për të gjitha palët.
Asnjëherë nuk mund ta shkëpusim aktivitetin politik dhe qëndrimet politike ndaj zhvillimeve të ndryshme në vend sepse ky është sistemi që ne kemi ndërtuar.
Vendimmarrësit e angazhimeve në të gjitha fushat, përfshi edhe atë të kulturës, janë në sistemin politik dhe unë do të theksoja se sa i rëndësishëm është dimensioni civilizues, dimensioni i një kulture të maturuar, i një bashkëpunimi, i një respekti reciprok përmes politikës dhe akteve politike, sjelljes politike dhe angazhimit institucional, në mënyrë që vlerat e kulturës dhe civilizimit të jenë të jetësuara jo vetëm në trashëgiminë kulturore por edhe tek sjellja e përditshme e institucioneve dhe aktorëve që përbëjnë këto institucione”
(XH.A/SHUPLAKA)