Një vit më parë në fshatin Banjskë të Zveçanit, një grup i armatosur i prirë nga ish-politikani Millan Radoiçiç, sulmoi Policinë e Kosovës.
Nga ajo kohë deri më sot kanë ndodhur shumë zhvillime: Radoiçiç pranoi organizimin dhe pjesëmarrjen në sulm, ai u hetua në Beograd dhe në Prishtinë ku ndaj tij dhe 44 personave tjerë u ngrit aktakuzë për veprimtari terroriste. Derisa ai besohet se po qëndron në Serbi, një vit pas në fshatin tashmë të qetë të Banjskës banorët vazhdojnë jetojnë me misterin e sulmit të 24 shtatorit të vitit të kaluar.
Para pak ditësh, Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti ditë më parë aktakuzë ndaj 45 personave për përfshirje në sulmin e armatosur terrorist në veri të Kosovës, në Banjskë një vit më parë, ku u vra rreshteri i policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku. Sipas aktakuzës, grupi terrorist me në krye Milan Radoiçiçin, synonin që përmes përdorimit të dhunës me armatim të rëndë, kanë tentuar të shkëpusin pjesën veriore të territorit të Republikës së Kosovës.
Tutje thuhet se si grup mirë i organizuar, këtë pjesë të territorit kanë tentuar t’ia bashkojnë Republikës së Serbisë, dhe si rezultat i dhunës së përdorur, ka vdekur zyrtari policor Afrim Bunjaku dhe është rrezikuar jeta e zyrtarëve të tjerë policorë dhe popullatës civile. Grupi i përbërë prej 45 personave ngarkohet me “Veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”.
Drejtori i Policisë së Kosovës,Gazmend Hoxha deklaron se qëllimi i sulmit ishte që veriu i Kosovës t’i bashkohet Serbisë. “Rekrutuan djem të rinj e burra dhe i trajnuan në Serbi për të qenë të aftët të bëjnë një sulm të tillë që veriu i Kosovës t’i bashkohet Serbisë. Kishin komunikim gjithë kohës me Serbinë”, u shpreh ai./ REL.