“Lajm i shkëlqyer që shtatë familjet e para që preken nga projekti i Unazës janë paraqitur për të marrë bonusin e qirasë; PS mund të fitojë vetëm, pa kapsolla”, tha kryebashkiaku Erion Veliaj sot gjatë punimeve në asamblenë e FRES.
Ndonëse prej 3 javësh banorët e zonës së Astirit vijojnë me protestat kundër shembjes së banesave të tyre për hapjen e punimeve për ndërtimin e Unazës së Madhe, kryebashkiaku Veliaj e ka quajtur fitore afrimin e 7 familjeve për të pranuar variantin e ofruar nga qeveria. Kujtojmë se janë përmbi 300 familje që u preken ndërtesat në këtë zonë nga projekti i Unazës së Madhe.
“Partia Socialiste është e vetmja që ndërhyrje të tilla i bën me një paketë sociale. Në rastin e Unazës së Re është shumë inkurajuese që banorët e vërtetë, jo mitingashët, jo ata që vijnë me autobusë nga Kamza për lodrat dhe për teatrin nga Mamurrasi, pra është një lajm i shkëlqyer që ata që kanë letrat e pronës po shkojnë te ARRSH për të marrë kompensimin. Kjo është e vetmja forcë në qeveri edhe në bashki që ka një ofertë sociale”, tha ai.
Gjithashtu ai ftoi të prekurit e tjerë të plotësojnë dokumentet dhe të marrin një ofertë ose për pagesë ose një shtëpi sociale.
Gjithashtu ai ka shprehur bindjen në fitoren e ardhshme elektorale, ndonëse PS ende nuk e ka zyrtarizuar kandidat për zgjedhjet vendore të 2019-s.
“Ne mund të fitojmë pa asnjë kapsollë, Partia Socialiste mund të fitojë vetëm duke qenë një parti që punon, duke respektuar kundërshtarin, duke u sjellë me etikë, duke i thënë komunitetit alternativa, duke i bashkuar dhe jo duke i përçarë njerëzit, tha ai.
Kandidatët për kryetarin e Forumit Rinor Euro Socialist të Tiranës prezantuan sot platformat e tyre për zgjedhjet që do të zhvillohen më 8 Dhjetor.