Eli Fara, e cila sot njihet si një ndër këngëtaret më të mira të muzikës popullore, ka rrëfyer disa episode nga e kaluara e saj, e cila nuk ka qenë e lidhur me muzikën.
E ftuar në emisionin “E Diell”, Eli tregoi se është martuar shumë e re dhe se ka qenë tepër e turpshme asokohe.“Unë isha në shkollë kur u martova”,– tha Eli, “janë ca historira që nuk thuhen, por mbaj mend që isha shumë e turpshme dhe nuk haja bukë. Nëse nuk më jepnin të haja, rrija pa ngrënë”-vijoi më tej ajo.
Eli pohoi se i respektonte zakonet e shtëpisë ashtu siç i kishte hije një nuseje me taban. Pyetjes se kur filloi të hante tamam bukë, Eli Fara iu përgjigj: “Kur u ndava!”
Eli zbuloi gjithashtu se përpara 30 viteve ka qenë mësuese e ciklit fillor në zonën e Korçës. Ajo rrëfeu se në atë kohë, djemtë i mbante pak më shumë me hatër se vajzat, sidomos ata çapkënë. Eli pohoi se ndonjëherë vinte edhe katra, por nuk e tepronte.
E megjithatë, diçka që i ka ngelur në mendje prej asaj kohe ka qenë hartimi i një nxënëseje, e cila e përshkruante mësuesen Eli të bukur dhe me thonj të gjatë.“Në vitet `80 mbajtja e thonjve të gjatë në Shqipëri konsiderohej shumë moderne për kohën dhe ndaj më ka mbetur në mendje” – kujtoi duke buzëqeshur ajo.