Referuar vendimit të marrë ditën e sotme kundër drejtuesve lokal te PD ne Elbasan, Basha nga selia blu u është drejtuar me tone të ashpra, duke iu dhënë një mesazh të fortë gjykatësve të korruptuar, sipas tij, të Elbasanit.
Sipas kryedemokratit Basha edhe këta e kanë vendin para drejtësisë, në krahë të kryeministrit Rama.
Pjesë nga deklarata e Bashës:
“Dua t’u drejtohem, gjithashtu, të gjithë policëve, prokurorëve dhe gjyqtarëve të Elbasanit, të cilët sot vendosën të mbajnë të burgosur politikë njerëz të pafajshëm, ndërkohë që kanë vite që tolerojnë dhe mbrojnë krimet e Qazim Sejdinit dhe të bandave të Elbasanit:
Ju e dini shumë mirë se çfarë është ligji dhe drejtësia!
Ju e dini shumë mirë se është kriminale që një prokuror dhe gjyqtar të braktisë ligjin dhe interesin publik për t’i shërbyer politikës dhe krimit.
Ju e dini, edhe ne e dimë. Të gjithë njerëzit e dinë.
Edi Rama mund t’ju ketë premtuar se do t’jua falë korrupsionin dhe shkeljet ligjore.
Edi Rama mund t’ju ketë premtuar se do ta kaloni vetingun. Kurse unë dua t’ju premtoj se shpejt do ta shoqëroni Edi Ramën përpara drejtësisë.
Prokurori dhe gjykatësi i korruptuar është funksionari më i rrezikshëm në shoqëri. As njerëzit dhe as unë nuk do ta harrojnë dhe tolerojmë krimin dhe korrupsionin tuaj.”