Arilda Lleshi, e cila është angazhuar në fushatën për zgjedhjet e 14 Majit, në krah të Pashk Gjonit të koalicionit Bashkë Fitojmë në qytetin e Lezhës, ka denoncuar se familjarë të saj janë kërcënuar me heqje nga puna. Në një intervistë për Fax News ajo ka zbuluar se xhaxhait dhe mamasë së saj që punonin konkretisht në policinë bashkiake, dhe në bibliotekën e qytetit, i është kërkuar dorëheqja.
“Arsyeja që iu është dhënë atyre është që nuk kanë punuar për rizgjedhjen e kryetarit të Bashkisë. Faktet janë fjalët e mamasë dhe xhaxhait tim, ato nuk kanë prova me audio apo video, se nuk kanë qenë të përgatitur për atë që do të ndodhte. Presionet nuk i isha bindur deri tani, ne nuk do të bjemë pre e presonit. Kam pasur një solidaritet të jashtëzakonshëm, kryetari i Bashkisë ka mohuar dijeninë për këtë që ka ndodhur, dhe më ka thënë që do të flasë me drejtorat”, u shpreh Lleshi.
Ndërkohë që në një postim të gjatë në rrjetet sociale, i cili është bërë viral prej ditës së djeshme, Lleshi ka pasur një replikë dhe me vetë Pjerin Ndreun, i cili mohon çdo dijeni për kërcënimet ndaj familjarëve të saj.
DEBATI I PLOTË:
Arilda Lleshi: Për shkak të përfshirjes time në fushatën për zgjedhjet vendore, mamit tim, që punon prej 23 vitesh te Biblioteka Publike e Lezhës, dhe xhaxhait tim, që punon prej 23 vitesh si punonjës policie, ju është kërkuar të japin dorëheqje.
Mami im ka një jetë që punon në Bibliotekë. Të gjithë fëmijët e Lezhës e njohin si teta Lula e Bibliotekës. Çdo fëmijë e mban mend me dashuri.
3 ditë pas rezultatit, puna vazhdoi me vrull. ‘Puna është në ADN-në tuaj’, ajo e mbrapshta. Mami dhe xhaxhai janë thirrur me urgjencë dhe ju është thënë se duhet të japin dorëheqjen ‘sepse familja juaj nuk ka punuar që kryetari jonë të rizgjidhet’. Tashmë jemi një familje me njollë në biografi, sepse nuk kemi punuar për nënën parti.
Z.Ndreu, Bashkia nuk është ndërmarrja jote private, por institucion publik në shërbim të qytetarëve. Administrata nuk të detyrohet besnikëri politike. Ti je një i zgjedhur i përkohshëm.
Liria e bindjes politike është e drejtë themelore demokratike dhe kushtetuese që pas vitit 1990. Ndoshta botëkuptimi juaj nuk është azhornuar akoma.
As mami, as xhaxhai nuk do japin dorëheqjen. Mund të vazhdoni me hapin e rradhës dhe t’i vidhni edhe disa taksa qytetarëve duke humbur gjyqin. Mbështetësit e Z. Ndreu, gjatë fushatës, pretendonin se ai përfaqësonte një ‘model qeverisjeje’. Për çfarë modeli e kishit fjalën? Për atë diktatorial?
Gjatë fushatës, Z. Ndreu postonte se rinia është një ‘prioritet absolut’. Si mbështetet rinia Z. Ndreu, duke i mbyllur gojën, duke i mohuar liritë themelore të shprehjes e bindjeve?
Gjithsesi unë nuk besoja në sinqeritetin e ideve tuaja. Prandaj edhe zgjodha të pozicionohem kundra jush në këtë fushatë. E drejta ime. Do vazhdoj të shprehem e pozicionohem ashtu si ma dikton ndërgjegjja.
Pjerin Ndreu: Miremengjes. Ke bere nje postim qe nuk eshte aspak i vertete. Deklaro hapur kush person i ka kerkuar doreheqje njeriut tend ne biblioteke dhe kur?! Kjo eshte nje lajthitje ose viktimizim politik qe nuk ka asnje te vertete!
Eshte genjeshter e paster ose fantazi e njeriut tuaj nese se thua publikisht kush person i ka kerku dorehheqjen?
Arilda Lleshi: Komunikuam me mesazhe para se të shihja komentin. Për transparencë, po e bëj publike edhe këtu.
Dje drejtoria e kulturës ka kërkuar një mbledhje. Pas mbledhjes, drejtori i kulturës, Renaldo Xhani i ka kërkuar mamit dorëheqjen me këtë arsye ‘familja juaj nuk ka punuar për kryetarin’. Nuk jeni në dijeni të situatës? A ka qenë kjo iniciativa personale e Renaldo Xhani?
Ndërkohë xhaxhait i është kërkuar dorëheqja nga drejtori i Policisë Bashkiake, Leonard Palaj. A ka qenë kjo iniciativa personale e Leonard Palaj?