Ish-kryeministri Sali Berisha ka premtuar dyfishimin e pagave për mjekët dhe infermieret, ndërkohë që eshte zotuar se me PD ne pushtet, do te rritjet edhe numri i ilaçeve me rimbursim. Gjatë një aktiviteti ku ka prezantuar programin për shëndetësinë, Berisha është shprehur se Spitali Onkologjik do të shkëputet nga QSUT dhe ai do të jetë një Institut i Tumoreve që do të ketë një buxhet me vetë.
“Onkologjiku do të shkëputet nga QSUT sepse është konstatuar se QSUT i ka vjedhur dhe shkatërruar të sëmurët. Ajo drejtori famëzezë ka bërë tendera të përsëritura pa sjellë asnjë ilaç. Askush nuk ka punë më të vështirë se mjekët e onkologjikut, por ama heshtja e tyre nuk mund të pranohet. Po pse duhet të heshtin ata para hajdutëve drejtorë dhe ministra. Dhe kanë heshtur. Ka prej tyre që nuk kanë heshtur, kanë ikur dhe e kanë nderuar bluzën e bardhë.
Ndaj do krijohet Instituti i Tumoreve. Ky institut do ketë buxhetin e vet dhe i garantoj shqiptarët se sado që të kushtojnë ilaçet e tyre, të cilat përdoren në BE, do përdoren në Shqipëri. Unë e di se këto ilaçe janë shumë të kushtueshme, por e di se ky shtet ka çdo mundësi për t’i blerë ato. T’u them një gjë, por për kohën që kam qenë kryeministër, nuk më ka ardhur kurrë një lajm se aty mungojnë ilaçet. Mund të ketë ardhur njëherë nga hematologjia dhe e blemë. Kushtonte jashtë mase. Nuk mundet shteti që të mos blejë ilaçet që janë të domosdoshme”, tha Berisha.
Ndërkohë kreu i PD që ka premtuar GDP-ja për Shëndetësinë do të do të jetë 3 përqind e buxhetit të shtetit. “Sot, 2.1 përqind e GDP-së shkon për shëndetësinë. Do rritet që vitin e parë në 3 përqind, me synimin e prerë që brenda mandatit të dalë mbi mesataren e rajonit si financim.
Ka një institut të sigurimeve shëndetësore. Do i jepet pavarësi nga parlamenti. Do funksionojë si institucion i pavarur. Por, ligji që 3 muajt e parë do parashikojë krijimin e sigurimeve private, për qëllimin e vetëm për të nxitur garën. Nuk rrihet me monopol. Se ky monopol krijon shumë probleme dhe e nxjerr jashtë kontrolli”, tha ai.
Duke iu rikthyer çështjen e pagave, Berisha ka premtuar rritje të mbështetjes financiare për bluzat e bardha. “Rimbursimi i ilaçeve nga 50 do shkojë drejt 90 përqind. Do kapë standardet. Pra, kemi folur për paketa emergjente. Kemi deklaruar se çështja e pensioneve dhe rrogave të ulëta është emergjencë.
Deklarojmë sot para shqiptarëve se çështja e shëndetësisë është emergjencë. Rrogat, pa diskutim që do të rriten. Në mandatet që kishim më parë ne mbidyfishuam rrogat e mjekëve dhe infermierëve. Tani ne do bëjmë që mjekët në Shqipëri të paguhen më mirë se mjekët e tjerë. Çfarë bëri Hungaria në epideminë e Covid-it? Vuri rroga gjermane për mjekët sepse mjekët po vraponin drejt Gjermanisë. Apo do bëjmë ligje që punoni 3 vjet apo 5 vjet. Marrëzira.
Rritim rrogat, krijojmë kushtet dhe shumica nuk kanë asnjë tendencë të largohen, por të shërbejnë në vendin e tyre. Ndaj dhe ne do shkojmë drejt dyfishimit të rrogave të mjekëve dhe infermierëve dhe rritjes gjersa ata të marrin më shumë se mjekët dhe infermierët në rajon dhe të afrohen me standardin e BE. Unë u ndala në disa elementë, por kjo reformë do marrë formën përfundimtare vetëm nga mendimet tuaja, propozimet tuaja, sugjerimet tuaja. Gjendjen aktuale të sistemit shëndetësor ne e konsiderojmë emergjencë.
Është sistem në të cilin janë kryer krime kundër njerëzimit duke lënë së sëmurë në kthetrat e fatit, jo për shkak të sëmundjes, por për shkak të ilaçeve. Merr fund kjo! Edhe njëherë i përshëndes punonjësit e këtij sistemi me shpresë dhe besim të plotë se ata do u përmbahen standardeve më të larta të humanizmit, të betimit të tyre si shërbëtorë të të sëmurëve” tha ai.