Një aksion të gjerë ka zhvilluar në orët e para të mëngjesit të sotëm Policia e Kosovës ku nga ky aksion janë prangosur dhjetëra zyrtarë të policisë të nacionalitetit serb.
Deri më tani numri i të arrestuarve ka kaluar mbi 30. Të gjithë këta dyshohet se janë të përfshirë në krim të organizuar dhe vepra të tjera penale.
Lidhur me këtë ka reaguar edhe kryeministri I Kosovës, Ramush Haradinaj i cili është shprehur se bëhet fjalë për zbatimin e ligjit dhe asgjë më tepër.
Ndërkohë Haradinaj shton duke bërë apel ndaj serbëve që të ruajnë qetësinë dhe të respektojnë ligjin
“Me urdhër të Prokurorit, në gjithë Kosovën aktualisht është duke ndodhur një operacion policorë, i drejtuar ndaj individëve të përfshirë në kontrabandë, krim të organizuar dhe vepra të tjera kriminale.
Disa prej personave të përfshirë në këto vepra janë zyrtarë doganorë, policë por edhe qytetarë të rëndomtë.
Operacioni u zhvillua me sukses edhe në Komunat Veriore të Kosovës. Si Kryeministër i vendit, konfirmoj se bëhet fjalë për zbatimin të ligjit dhe asgjë tjetër. Ftoj serbët e veriut ta ruajnë qetësinë dhe ta respektojnë ligjin!”, shkruan Haradinaj
Ndërkohë i menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç ka urdhëruar të gjitha njësitet e Ushtrisë që të jenë në gjendje gatishmërie për një intervenim të mundshëm në Kosovë.
Mediat serbe raportojnë se reagimi i tij vjen pas aksionit të sotëm të Policisë së Kosovës që raportohet se ka arrestuar disa pjestarë serbë të policisë në Mitrovicë, Zubin Potok dhe komuna tjera në veri të vendit.