Analisti Gjergji Vurmo ka qenë i ftuar në një intervistë në Fax News ditën e sotme për të folur mbi veprimtarinë e legjislaturës aktuale të parlamentit që u mbyll ditnën e sotme.
Gjergji Vurmo e quan legjislaturën aktuale si më të veçantën e këtyre 30 viteve për vetë faktin që opozita la mandatet.
“Ka qenë legjislatura më e veçantë në këto 30 vjet. E cila filloi dukshëm në të njëjtën mënyrë siç ka filluar performanca e çdo legjislature të paktën në 10 vjeçarin e fundit. Opozita me tërheqjen e saj solli një situatë të paprecedentë. Deputetët e tërhequr u zëvendësuan. Kjo e dëmtoi ndjeshëm performancën e veprimtarisë parlamentare”, theksoi ai.
Analisti nuk i kurseu kritikat për opozitën e cila vendosi të lërë mandatet në vitin 2019, duke e quajtur këtë një braktisje të qytetarëve.
Sipas Gjergji Vurmos, argumenti që kishte opozita se nuk i shërben më vendit duke vazhduar në atë parlament ishte e gabuar, sepse opozita ka një rol të rëndësishëm për qytetarët. Ai shtoi se shpreson që opozita ta ketë marrë mesazhin.
“Në shtator do të kemi thjesht një parlament që do t’i kthehet normalitetit. Asgjë spektakolare nuk do të ketë. Krahasuar me dy vitet e fundit do të ketë një ndryshim thelbësor. Ajo që bëri opozita ishte një braktisje e qytetarëve, pra hapi më i gabuar në 20 vitet e fundit që ka marrë një aktor politik. Opozita ka një rol thelbësor në qeverisjen e vendit. Argumenti kryesor që PD-LSI tërhoqi deputetët ishte ‘nëse vazhdojmë të qëndrojmë në parlament nuk kemi çfarë i shërbejmë vendit’. Kjo ishte një ide e gabuar. Shpresoj të kenë marrë mesazhin. Në dy vitet e fundit besoj janë bindur të gjithë që ishte hapi më katastrofik që ka marrë një palë politike pas viteve 2000 të paktën”, tha ai.
I pyetur për votimin e kreut të ri të AMA-s, pavarësisht thirrjeve për ta shtyrë votimin në shtator, analisti Vurmo thotë se kjo nuk do të sillte asnjë ndryshim. Sipas atij, balancat e partive nuk bëhen gjatë votimit por gjatë fazës së përzgjedhjes së kandidatëve.
Reagimi i Delegacionit të BE-së në vendin tonë për të shtyrë votimin në shtator nuk është pritur mirë nga Vurmo, të cilit i ka lënë një shije të hidhur kjo deklaratë e ndërkombëtarëve.
“Ishte diçka që pritej. Përgatitjet kishin filluar prej kohësh. Ajo që më la një shije të hidhur ishte reagimi i ndërkombëtarëve, që ishte një reagim sa për të kaluar rradhën. Sugjerimi për shtyrjen e vendimit ishte tejet naiv më së paktu. Nëse lexoni me kujdes ligjin e AMA-s, do të vëreni që ligjvënësi shqiptar i ka parashikuar balancat politike në fazën e përzgjedhjes dhe jo në fazën e votimit. Ata mekanizma që sigurojnë balancat kryhen gjatë përzgjedhjes së kandidaturave dhe jo gjatë votimit. Është naive deklarata e disa ndërkombëtarëve që të shtyhet në shtator, sepse në shtator do të votohen përsëri të njëjtat emra”, deklaroi Vurmo.
(E.H/Faxweb.al)