Senida Mesi, të cilën Rama e përzgjodhi si zëvendës kryeministre, sot me anë të një postimi publikoi një fjalim për të cilin tha se ishte i Skënderbeut dhe që ia kishte dërguar një mik që e vlerësonte shumë.
Mirëpo, ish-gazetari dhe poeti dibran Artan Gjyzel Hasani thotë se ai nuk është fjalim i heroit tonë kombëtar por i një batakçiu aventurier, Stephan Zannovich që ndër zullume të tjera, e mbante veten edhe për pasardhës gjenetik të heroit tonë.
Sipas poetit “Senida Mesi arriti të bëjë atë që nuk e bënë dot Rilindasit e shekullit të 19-të bashkë me Marin Barletin e shekullit të 16-të dhe Fan Nolin e shekullit të 20-të: zbulimin e fjalës së Skënderbeut para vdekjes(!)”.
Poeti thekson se gafa e zonjës Mesi mund të shihet me pozitivitet si një rast klasik pasi u shnërrua në një të paharueshme.
“Gjithsesi gafa e zonjës Mesi mund të shihet me pozitivitet si një rast klasik kur një status facebook-u e shndërron dikë nga të panjohur në të paharrueshëm. “, shprehet poeti.
POSTIMI I PLOTË I ARTAN GJYZEL HASANIT:
PADITURIA E SHENJTË E ZONJES MESI
“Tani është koha për me punu me ju, për ju.
Për ato që duan të dinë më shumë po zgjedh të ndaj me ju pjesë nga fjalimi madhështor i Gjergj Kastriotit në prag të vdekjes”
Me këto fjalë iu drejtua publikut në statusin e saj të facebook për marrjen e detyrës si zëvëndëskryeministre zonja Senida Mesi, një status i botuar në disa prej mediave shqiptare.
Më në fund rilindësja e 2017 Senida Mesi arriti të bëjë atë që nuk e bënë dot Rilindasit e shekullit të 19-të bashkë me Marin Barletin e shekullit të 16-të dhe Fan Nolin e shekullit të 20-të: zbulimin e fjalës së Skënderbeut para vdekjes(!)
Dhe me pas në statusin e zonjës Mesi vazhdon “fjalimi madheshtor i heroit tone kombetar ne prag te vdekjes” që në fakt nuk është gjë tjetër veçse një trillim artistik shkëputur nga romani “Le Grand Castriotto d’Albanie, Histoire” i botuar në vitin 1779 në Paris me autor aventurierin, vrasesin, mashtruesin me origjine nga Budva e Shqiperise Veneciane, Stephan Zannovich, nje fjalim sajesë dhe aspak dokument historik, pra një fiction i mbushur me keshilla moralizuese te huazuara nga libri “Princi” i Makiavelit dhe romane te tjera historike te autorëve moralizues të asaj epoke.
Nuk mund ta bëj me faj zonjën Mesi për paditurinë e saj. Nuk është as e para e as e fundit në nivele të tilla qeverisëse. Por zonjës Mesi i duhet kujtuar publikisht që “fjalimi madhështor” që ajo me cilësinë e zëvëndëskryeministres (së një qeverie vendimi i parë i së cilës është shpallja e vitit 2018 “Viti i Skenderbeut”!) i servir publikut nuk është i heroit tonë kombëtar, por i batakçiut aventurier Stephan Zannovich që ndër zullume të tjera, e mbante veten edhe për pasardhës gjenetik të heroit tonë, një hero jo vetëm kombëtar, por siç duken bathët, edhe fatkeq pas vdekjes.
Gjithsesi gafa e zonjës Mesi mund të shihet me pozitivitet si një rast klasik kur një status facebook-u e shndërron dikë nga të panjohur në të paharrueshëm. (B.H/Shuplaka)