Kryetarja e Komisionit të Medias dhe Edukimit, Albana Vokshi, në një konferencë nga selia e PD-së, ka reaguar pas ndjesës së ministres së Arsimit, Lindita Nikolla, lidhur me pagat e papaguara të pedagogëve.
Vokshi ka thënë se ky është synimi i Ramës dhe Nikollës për të mbajtur elitat të nënshtruara duke mos i paguar.
Vokshi ka theksuar se ministrja nuk ka bërë asnjë shpjegim për këtë kolaps që ka kapur stafet e universiteteve.
“Kjo është një papërgjegjshmëri,” tha Vokshi, si dhe tregues i qartë se kjo qeveri nuk mendon as për studentët dhe as për pedagogët.
“Ministria e Arsimit të japë llogari për pagat e pedagogoëve. Ndjesa e ministres hipokrite, askush nuk mban përgjegjësi. Nikolla, përgjegjësja kryesore. Nuk u paraqit në Komision, kjo është një shkelje e përsëritur.”-tha Vokshi.
Deklarata e plotë:
Janë 15 mijë familje, të cilave qeveria u ka shkelur kontratat dhe askush nuk mban përgjegjësi. Ndërkohë, kur qytetarët shkelin kontratat dhe nuk paguajnë dritat dhe ujin përfundojnë në burg. Këtë fat e kanë provuar mbi 38 mijë qytetarë dhe me këtë fat vazhdojnë të kërcënohen çdo ditë nga kryeministri dhe ministrat e tij.
Minsitrja e Arsimit dështoi sot të japë përgjigje persë pedagogët nuk janë paguar për punën e tyre. Ndjesa e saj është hipokrite. Ajo lau duart si Ponc Pilati dhe nuk pranoi se ajo është përgjegjësja dhe shkaktarja kryesore e kësaj situate që fakton se ligji i arsimit të lartë ka dështuar.
Për shkak se Ministrja e Arsimit nuk ka nxjerrë qëllimisht aktet nënligjore, që do të lejonin pagesën për mbi 15 mijë pedagogë dhe stafit të administratës së universiteteve publike, ka nga ata pedagogë që kanë kërkuar borxh për të paguar faturat e familjeve të tyre.
Të enjten, në seancën e parlamentit, kam kërkuar që Ministrja Nikolla të raportonte urgjentisht në lidhje me këtë problem, i cili është unikal në llojin e tij në botë, madje edhe për regjimet më autokratike. Por Ministrja në shkelje të përsëritur të Rregullores së Kuvendit, nuk u paraqit në seancë. Njësoj si sot, ajo nuk dha asnjë shpjegim për kolapsin financiar të Universiteteve publike.
I gjithë sistemi i arsimit të lartë publik është paralizuar prej mungesës së akteve nënligjore, të cilat duhet të ishin miratuar që në prill të 2016. Ky është shpërdorim i qartë i detyrës nga Ministrja e Arsimit, e cila me mosveprimin e saj është subjekt i nenit 248 të Kodit penal për shpërdorim detyre, sepse në mospërmbushje të rregullt të detyrës, ka dëmtuar interesat e ligjshme të 15 mijë shtetasve.
Por nuk është vetëm kaq. Synimi është për të nënshtruar këdo që mund të cënojë pushtetin e tij. Edi Rama po shkatërron të gjithë sistemin arsimor, po përpiqet të vërë nën kontroll artistët, të pengojë të rinjtë të arsimohen, të shkatërrojë trashëgiminë kulturore. Pra të mbajë të nënshtruar elitën dhe rininë.
Prej papërgjegjshmërisë së dyshes Edi Rama dhe Lindita Nikolla sot, 15 mijë familje janë pa të ardhurat që ju takojnë me ligj.
Prej papërgjëgjshmërisë së dyshes Rama-Nikolla, sot mijëra të rinj nuk kanë mundësi të arsimohen për shkak të tarifave të rritura.
Prej papërgjëgjshmërisë së dyshes Rama-Nikolla, kërkimi shkencor ka ndalur. Përçmimi për elitat ka bërë që prej 3 vitesh në Shqipëri të mos jepen tituj shkencorë.
Prej papërgjëgjshmërisë së dyshës Rama-Nikolla, studentët janë pa karta e nuk marrin dot kredi studentore.
Prej papërgjëgjshmërisë së dyshes Rama-Nikolla në asnjë universitet nuk hapen dot degë të reja.
Prej papërgjëgjshmërisë së dyshës Rama-Nikolla, rektoratet janë kthyer në burime konfliktesh kompetencash apo edhe fizike.
Prej papërgjëgjshmërisë së dyshes Rama-Nikolla, autonomia e Universiteteve Publike është cënuar rëndë.
Partia Demokratike do të jetë në mbështetje të pedagogëve, artistëve, rinisë për të mos lejuar nëpërkëmbjen e tyre dhe në mbrojtje të të drejtave të tyre.
(F.G/Faxweb)