“Është koha që BDI së bashku me LSDM-në të shkojnë në opozitë”!. Ishte kjo një nga fjalitë e para që e tha të mërkurën në mbrëmje kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski, në paraqitjen e parë në opinion, pasi u bë e qartë se partia e tij ka arritur fitore absolute dhe se pikëpyetja e vetme ishte nëse do të kenë 60 deputetë, ose një-dy më pak se 60. Me këtë, dërgimin e LSDM-së dhe BDI-së në opozitë, Mickovski i numëroi në mesin e prioriteteve kryesore të qeverisjes së tij në ardhje.
Deri sa LSDM-në në opozitë e dërgoi vullneti i qartë i votuesit, Mickovski gjatë numëritmit të prioritetee e bëri të qartë se nuk ka ndërmend të heq dorë nga premtimi parazgjedhor se qeverinë do e bëjë me opozitën shqiptare. Fitorja e bindshme me 58 ose 59 deputetë, si duket i krijon Mickovskit komoditetin e duhur që t’i mbetet besnik këtij premtimi, për të cilin njohësit e rrethanave e dinë se është mjaft i rëndësishëm si për imazhin e tij politik, aqe edhe për imazhin e partisë së tij, nëse i bëjmë një retrospektivë skenës politike të pas vitit 2017.
Bindjen se do i qëndron besnik premtimit në fjalë, Mickovski e përforcoi edhe duke përdorë formulimin se “në zgjedhjet e sotme ka humbur edhe bojkoti i BDI-së”, duke iu referuar informacioneve nga tereni që tregonin dallim relativisht të madh në vendvotime me shumicë shqiptare mes atyre që votonin për zgjedhjet parlamentare dhe zgjedhjet presidenciale, e që ishte rezultat i thirrjeve publike dhe të heshtura për të rrezikuar censusin 40 për qind të domosdoshëm për zgjedhje të suksesshme presidenciale.
BDI, më vonë gjatë ditës së djeshme bëri përpjekje t’a kamuflojë këtë bojkot, por për Mickovskin nuk ka dilema: Bojkoti i presidencialeve ka ardhur drejtpërdrejtë nga BDI-ja!
“Ne ia dolëm! Maqedonia fitoi! Një fitore historike e popullit! Populli ka treguar se nuk do të lejojë që individët të krijojnë kriza dhe të mbrojnë veten përmes institucioneve. Është koha që BDI së bashku me LSDM-në të shkojnë në opozitë. Nuk do t’ju zhgënjejmë, rezultatet e punës sonë do të shfaqen në 100 ditët e para të qeverisjes”, tha Mickoski, në një deklarim mjaft të prerë dhe të qartë, jo i zakonshëm për shpalljen e fitores në natën e parë zgjedhore, kur zakonisht dërgohen mesazhe të përgjithësuara.