Ditën e djeshme armë u zbuluan në aeroportin e Rinasit. Armët ishin futur në 3 pako postare dhe prisnin të kalonin tranzit përmes kompanisë postare jashtë vendit, e më konkretisht dyshimet e para të çojnë drejt Anglisë.
Menjëherë pas kësaj ngjarjeje autoritetet shqiptare vijojnë operacionin.
Policia shqiptare po vijon në operacion të përbashkët në bashkëpunim me autoritetet angleze. Raportohet se dy shtetet po hetojnë lidhur me zbardhjen e ngjarjes si dhe identifikimin dhe kapen e autorit.
Armët mendohen të kenë qenë të llojit kallashnikov dhe bëhet fjalë për dy ose tre të tilla.
Pjesët e kallashnikovëve ishin ndarë në 3 pako ndërsa policia ka nisur hetimet për zbulimin e personave të implikuar në këtë tentativë trafiku.
Hetimet janë fokusuar tek personat që kanë nisur pakot por po punohet edhe për identifikimin e pritësve të dërgesës. Pjesët e armëve janë gjetur pasditen e së enjtes, ditë kur policia e shtetit njoftoi se ka marrë masa shtesë antiterror, si në mbarë shtetet europiane, pas disa sulmeve dhe kërcënimeve në vazhdim të ISIS.
Ngjarja ka alarmuar autoritetet ndaj mësohet se për hetimin e këtij rasti është ngritur një grup pune nga Prokuroria, drejtoria e antiterrorit, drejtoria e krimit të organizuar dhe SHISH.
(E.K/SHUPLAKA)