Pa asnjë distancim fizik, as që bëhet fjalë për 2 metrat e nevojshëm, dhjetra banorë në qytetin e Durrësit janë grumbulluar përpara ambienteve të prefekturës duke kërkuar dëmshpërblimin e munguar tashmë prej 8 muajsh, që pas tërmetit të 21 Nëntorit.
Me letra e shkresa në duar, qytetarët sorrollaten sa në një derë te një dritare në pritje të një përgjigje, që çuditërisht nuk u vjen, edhe pse premtimet që kanë marrë janë të shumta.
Në ambientet përpara prefekturës nuk shihet asnjë punonjës i rendit, edhe pse numri i njerëzve të mbledhur është disaherë më i lartë, se ai i qytetarëve në disa protesta civile të mbajtura në Tiranë, ku ndërhyrja ka qenë e menjëhershme.
Në një moment, pranë qytetarëve afrohen dy punonjës të Policisë Bashkiake, të cilët rrethohen menjëherë nga njerëzit të cilët kërkojnë sqarime prej tyre.
Padyshim që qytetarët janë koshientë për rriskun që kanë si pasojë e grumbullimeve të tilla, por me siguri që qeraja, uji, dritat, e faturat që kanë mbetur pa u shlyer, janë një shqetësim edhe më i madh dhe i përditshëm, që iu rëndon nga dita në ditë.
Ditë pas dite shohim se institucionet publike janë bërë shkak për përhapjen e Covid 19, dhe ende nuk është gjetur një zgjidhje e prekshme, që qytetarët të marrin shërbimin pa qenë e nevojshme që të ketë grumbullime të tilla.