”Nuk mund të votojme akte normative të buxheteve paralele abuzive”, ky ka qenë qëndrimi i prerë i ish-ministrit të Bujqësisë Edmond Panariti.
Panariti i LSI-së, teksa fliste për aktin normativ të buxhetit tha se do të merrej me thelbin e këtij akti. ”…rialokimin e fondeve buxhetore duke prekur shtyllat bazë të financimit të sektorëve kyç të vendit si bujqësia, arsimi dhe shëndetësia për të injektuar para të KESH-it për blerje të energjisë për të zbutur krizën energjitike të vendit.”, tha Panariti.
”Në aktin normativ kjo cilësohet masë e përkohshme por në thelb ne jemi futur në cikël pa kthim financimesh pa perspektivë dhe abuzive, të cilat do vazhdojnë me vite me radhë për sa kohë sektori energjitik do të jetë terësisht i pabalancuar duke u mbështetur në 95 % vetëm të bazenet ujore dhe hidrocentralet. Për rrjedhojë thatësira e parë e fut vendin në krizë energjitike dhe çorodit të gjitha programet e zhvillimit, mirëqënien sociale dhe shteron financat shtetërore duke u hapur rrugë abuzimeve dhe shpërdorimeve klienteliste.
Për sa kohë që energjia e vendit nuk është e diversifikuar, kur investimet në burime energjitike të rinovueshme si energjia diellore dhe e erës janë zero ne do të vazhdojmë ta prekim buxhetin ta ç’balancojmë atë duke i hequr burime financimi, bujqësisë dhe arsimit.
Do vijmë këtu përsëri me akte normative, të cilat nuk do jenë të përkohshëm por buxhetet paralele klientele. Gjermania mbulon 35 përqind të nevojave energjitike me energji diellore dhe të erës, ndërsa në zero megjithëse kemi plot 300 ditë vjetore me diell. Ndërkohë vazhdojmë të investojmë në burime jo të rinovueshme por shteruese dhe të prekim buxhetin për të zbutur por jo zgjidhur, kriza qe i kemi krijuar vetë. Për këtë arsye nuk mund të votojmë akte normative të buxheteve paralele abuzive.”, argumentoi më tej ish-ministri.
Sot punimet e Kuvendit u shoqëruan me ndëprerje të sinjalit të transmetimit për televizionet private informative. (V.G/SHUPLAKA)