Deputeti i grupit parlamentar demokrat, Korab Lita ishte i ftuar në studion e lajmeve të Fax News ku foli për debatet e forta brenda këtij grupi për pozicionin e kryetarit të tij, kërcënimin e Rudina Hajdarit, Reformën Zgjedhore, rekomandimet e OSBE-ODHIR-it, marrëdhëniet me Parlamentin si dhe kushtet e Bundestagut gjerman.
Duke iu përgjigjur interesit mbi debatin e brendshëm në grupin demokrat për kryetarin e këtij grupi si dhe kërcënimin e Hajdarit, Lita tha se e para është një çështje pa rëndësi e cila sipas tij është pjesë e debateve të brendshme, por nuk denjoj të mbronte atë që ka thënë edhe më herët, se dorëheqja e Hajdarit ka qenë një vendim i pranuar nga të gjithë pas një diskutimi 5 orësh të 9 deputetëve.
Ndërsa për kërcënimin, Lita tha se është diçka e cila duhet hetuar, nuk pranoi se ai është autori apo porositësi i tij, por në vijim të intervistës ai tha se një deputet që ndihet i kërcënuar nuk meriton të jetë deputet pasi Parlamenti theksoi ai është një arenë.
“Është shumë i rëndë si incident nëse ka ndodhur kjo, sepse nëse mund të kërcënohet një person me rëndësinë që ka Hajdari, atëherë kjo mund të bëhet ndaj kujtdo. Me sa informacion kam Hajdari ka dërguar një letër në adresë të Kuvendit ku janë marra edhe masat.
Nëse Ligoraq Karamelo e ka thënë se unë e kam kërcënuar Hajdarin, duhet ti dalë për zot asaj që ka thënë, por nëse ky është një trillim i medias, mediat le të bëjnë çfarë të duan, unë nuk e kam dëgjuar personalisht, jam njohur përmes medias me deklaratën e Karamelos. Unë e dënoj si akt dhe ftoj drejtësinë të hetojë dhe ndëshkojë atë që e ka bërë nëse kjo është e vërtetë.
Vendimet janë kolegjiale, merren me unitet e nëse nuk është e mundur merren me shumicë votash. Ka një rregullore të funksionimit të brendshëm të grupit parlamentar. Ne kemi një të veçantë si grup, ka pasur shumë kërkesa në fillim por në kemi ruajtur një standart, ku për shkak të sistemit në listën e PD-së ka patur kandidatë nga të gjitha partitë, ne kemi ruajtur një staturë të PD-së dhe të qenurit të djathtë dhe demokrat të gjithë anëtarët brenda grupit tonë. Të 9 anëtarët e grupit janë anëtar dhe zyrtar të Partisë Demokratike, pjesë të strukturave të kësaj partie.
Zonja Hajdari dha dorëheqjen me 10 Tetor, me 11 u bënë zgjedhjet, pastaj doli dhe e mohoi. Ajo është kolege e imja dhe jemi pjesë e të njëjtit grup parlamantar. Ju kërkoj ndjesë shqiptarëve që po i mërzisim me këto debate pasi nuk janë në interes të tyre. Nuk është problemi i grupit demokrat problemi i qytetarëve shqiptarë”, tha Lita në Fax News.
Pjesë nga intervista:
Hajdari ka dhënë dorëheqjen apo grupi nuk e ka dashur në krye?
Korab Lita: Ky fenomen ka ardhur pas një diskutim të 9 anëtarëve për 5 orë, secili ka dhënë mendimin e vet, dhe në fud pas rezervave që u paraqiten, Hajdari pranoi dorëheqjen dhe pastaj ne filluam procedura të tjera. Hajdari ka edhe 4 detyra të tjera të rëndësishme. Ne nuk e ndryshojmë diskursin tonë politik, ne kemi hyrë aty të gjithë bashkë dhe qëllimi ynë kryesor është ndryshimi i sistemit zgjedhor.
Nga dita e parë e formimit të komisionit të Reformës Zgjedhore, Hajdari është aty me zgjedhjen tonë dhe në përfaqësimin tonë, dhe ka mbështetjen maksimale nga ne. Qëndrimet e zonjës Hajdari janë qëndrimet tona. Unë kam ikur nga PD-ja për të ndryshuar këtë reformë. Unë nuk e votoj Reformën Zgjedhore nëse nuk ndryshohet sistemi.
Jeni akuzuar nga Hajdarui se nuk keni dhënë asnjë kontribut në Parlament, si e komentoni këtë?
Korab Lita: Besoj se kontributin tim në Parlament e gjykojnë votuesit, kjo nuk është një çështje e rëndësishme për mua. Nuk është e rëndësishme se sa flet në Parlement por se çfarë flet. Gjithkush është i lirë të dalë nga grupi ynë dhe gjithkush mund të hyjë me vendim grupi.
Kërkoni lista të hapura, çfarë do të ndodh për aq kohë sa nuk shohim një qëndrim të tillë nga mazhoranca dhe opozita jashtë parlamentare?
Korab Lita: Për çdo palë zgjedhje bëhet një reformë sepse drejtuesit politik krijojnë kriza artificiale për të arritur pazarin e radhës. Mendoj se duhet një reformë përfundimtare dhe për 30 vite të mos flitet të paktën më për këtë gjë. Që ditën e parë në Parlament kam shprehur opinionin tim për Reformën Zgjedhore, dhe për këtë kemi rënë dakort edhe me grupin të cilën më pas ia kemi dërguar Kuvendit që është futur në axhendën e Reformës Zgjedhore.
Pse kishit një vendim kundër PD-së për djegien e mandateve?
Korab Lita: Parimisht unë mendoj se lufta bëhet më demokraci dhe institucione e jo në rrugë. Pastaj janë çështje të tjera siç është Reforma Zgjedhore, dhe dyshoj se këtë ligj zgjedhor dy kryetarët e partive i kanë privatizuar partitë, listat i shkruajnë vetë. Asnjë shqiptar nuk e din se kë ka deputetin e tij. Mendoj se dalja nga Kuvendi ishte një vendim fatal e akoma më fatale ishte mos’hyrja në zgjedhjet e 30 Qershorit. PD duhej të ishte aty për të thënë fjalën e saj dhe të mos i braktiste mbështetësit.
A jeni të ‘kërcënuar’ nga mazhoranca dhe kryeministri?
Korab Lita: Parlamenti është arenë, dhe nëse një deputet ndjehet i dhunuar aty, ai nuk duhet të jetë më deputet. Jam në dispozicion se unë po bëj këtë por ky standart që më bën qeveria nuk më le, pastaj janë votuesit që vendosin, nuk mund të thuash se jo nuk më lë qeveria dhe po e lë unë Parlamentin.
Do të shkoni edhe ju me lista të mbyllura nëse nuk ndryshon sistemi zgjedhor?
Korab Lita: Duhet të kesh një subjekt politik që të zgjidhesh sërish. Shqiptarët nuk kanë nevojë për një parti tjetër, por për një alternativë tjetër. Nuk është kjo kryesorja. Ne e kemi shprehur edhe në takimin e fundit me deputetët e opozitës, dhe nëse nuk ndryshohet sistemi zgjedhor ne nuk e votojmë. Unë besoj se shqiptarët kanë nevojë ta çlirojnë votën.
A ndiheni si një shtojcë e këtij Parlamenti?
Korab Lita: Jo nuk ndjehemi të tillë. PD dhe gjithë aktorët politik janë të lirë të japin kontributin e tyre në Reformën Zgjedhore. Nëse qëllimi i tyre është të bëjnë një makiazh që pas 4 vitesh të kemi të njëjtën situatë, nuk besoj se duhet bërë. Për herë të parë, ne të gjithë deputetët që kemi ardhur, nuk jemi siç thonë të listave por që vijmë nga zona të caktuara. Kushtet e Bundestagut Rama përpiqet të manovrojë me këto gjëra. Ka deklaruar të bëhet me dy faza, fillimisht me kushtet e OSBE pastaj të kalojmë tek sistemi. Ne i kemi lënë derën e hapur që rekomandimet e OSBE-ODHIR nuk i quajmë reformë, por detyra dhe standarte të munguara. Nuk mund të shkojmë vetëm duke bërë detyra, por diçka përfundimtare.
A është pranuar nga Kuvendi ndryshimi i kreut të grupit demokrat?
Korab Lita: Nuk është kompetencë e kryetarit të Kuvendit por e grupit parlamentar. Kuvendi vihet në dijeni dhe pastaj i komunikohet deputetëve. Përderisa pati një pretendim nga zonja Hajdari është një pjesë e grupit parlamentar, dhe Ruçi nuk është pjesë e grupit. Dje Ruçi e pranoi kërkesën e grupit për të mos pranuar anëtar të rinj.
https://www.facebook.com/faxweb.al/videos/422720231995727/
(F.GJ/FAXWEB.AL)