Partizani ka arritur një fitore tepër të vuajtur por heroike, duke qenë se ajo ka ardhur pas thuajse një ore me dhjetë futbollistë. Protagonist, në të mirë dhe në të keq, sulmuesi Solomon, që ka realizuar gol në minutën e 23-të pas asistit perfekt të Trashit, por në minutën e 30-të ka dalë me karton të kuq.
Afrikani ka tentuar të bëjë një roveshatë brenda zonës së rreptësisë së Flamurtarit, teksa goditi në fytyrë mbrojtësin e ekipit vlonjat, që më pas doli nga fgusha me barrelë, edhe pse do të kthehej pas 15 minutash sërish në terren.
Mes lotëve, Solomon ka lënë fushën e blertë, ndërsa Partizani ka rezistuar dhe madje i është afruar edhe golit të dytë, ndërsa Flamurtari ishte i paqartë përpara portës së kampionëve. Skuadra mike, në minutën e 88-të, mbeti me dhjetë futbollistë pas daljes me të kuq të Zeqaj (dy të verdhë), ndërsa Rrapaj në fund për pak sa nuk ngriu buzëqeshjen e ekipit të Lerda.
Partizani shkon kështu në kuotën e 6 pikëve pas dy fitoreve radhazi dhe harron humbjen ndaj Kukësit.
Trajneri i Flamurtarit, Dritan Sadedini, ka komentuar humbjen e pësuar kundër Partizanit në emisionin “Gol pas Goli”. Këto kanë qenë deklaratat e bëra nga ai.
“Kemi luajtur shumë minuta në superioritet numerik, por gjendja kjo është. Nuk arritëm të shmangnim humbjen. Besimi tek ekipi? SItuata është e vështirë për Flamurtarin. Në tri ndeshje nuk kemi marrë asnjë pikë. Mendoj se edhe këto dy javë nuk do të na ndihmojnë shumë, por duhet të punojmë”.
“Shpresoj që Flamurtari të dalë nga kjo gjendje dhe mendoj se do ia arrijmë qëllimit. Objektivi është t’i marrim ndeshjet me radhë dhe të shtojmë pikët. Nuk kemi një objektiv real”.
Trajneri i Partizanit, Franco Lerda, është shprehur i pakënaqur me kartonin e kuq të marrë nga Solomon në ndeshjen e fituar 1-0 kundër Flamurtarit në shtëpi. Në intervistën e dhënë për emisionin “Gol pas Goli”, ai ka thënë:
“Në 30 minutat e para kemi dominuar ndeshjen dhe kemi kaluar në avantazh. Më pas kemi marrë atë karton të kuq të pabesueshëm. Një gjë e pakuptimtë. Pas ndeshjes së tretë në një javë, nuk kemi patur më fuqi të shtynim përpara me një lojtar më pak, por nuk kemi pësuar asnjë gjuajtje”.
“Mungesa e golit? Jo, nuk shqetësohem nga kjo. Unë shqetësohem kur nuk krijojmë raste. Mbas në ndeshjet e ardhshme do të shënojmë më shumë. Unë kam qenë sulmues dhe e di si funksionon. Ndonjëherë shënon me lehtësi, të tjera jo. Sot dominuam, por më pas erdhi kartoni i kuq që na komplikoi planet”.