Ditën e sotme është shënuar 2-vjetori i rezistencës së një grupi të madh artistësh, aktivistësh, njerëz të shoqërisë civile e qytetarë të thjeshtë për të mos lejuar shembjen e godinës së Teatrit Kombëtar për të ndërtuar një godinë të re.
Gjatë këtyre dy viteve, ata pretendojnë se kanë zbuluar dhe denoncuar fakte që provojnë se në vendin ku do të ndërtohet Teatri i ri Kombëtar po tentohet të bëhet një aferë korruptive pasi ndërtimi i tij është planifikuar të bëhet nga kompani private, ndërsa rezistenca e ka penguar së paku deri më tani shembjen e godinës së vjetër e cila është konsideruar nga ata që e kundërshtojnë projektin, si monument kulture.
Mbrëmjen e sotme një numër i madh qytetarësh që përfaqësojnë kategori të ndryshme të shoqërisë, janë mbledhur për të dokumentuar aktivitetin dy vjeçar të ‘luftës’ mes tyre dhe qeverisë.
Në sallën e madhe të Teatrit Kombëtar janë sjell pamje filmike, janë dhënë mesazhe, janë ndarë përvoja dhe eksperienca nëpër të cilat kanë kaluar për të mbërritur pas 24 muajsh tek fakti se këmbëngulja e tyre ka bërë që kjo godinë të qëndrojë ende në këmbë.
Fax News ka qëndruar që prej ditës së parë në transmetimin e çdo aktiviteti, përplasjeje, ngjajrjeje të rëndësishme nëpër të cilat ka kaluar kjo kauzë, ndërsa edhe mbrëmjen e sotme ishte pranë ambjenteve të mgodinës së artit shqiptar në transmetim të drejtëpërdrejtë të aktivitetit.
(F.GJ/FAXWEB.AL)