Pas kthimit nga Kopenhageni ku mori pjesë në Asamblenë e Partive Popullore, kreu i Partisë Lulzim Basha ka nisur takimet me aleatët.
Kreu i opozitës ka pritur në takim kreun e Partisë Republikane Fatmir Mediun. Dy aleatët kanë biseduar përreth një orë. Në një prononcim për Ora News, Mediu ka zbuluar edhe për çfarë ka biseduar me Bashën.
“Patëm një takim pas pushimeve. Diskutuam gjerësisht për angazhimet e deputetëve të opozitës në parlament dhe koordinimin e të gjithë forcave opozitare në veprimin opozitar të djathtë. Edhe për pritshmëritë dhe zhvillimet që kanë të bëjnë me reformën zgjedhore dhe kushtetuese që kanë nevojë për një angazhim të gjithë nivelit të ekspertëve brenda opozitës para se të diskutojmë për marrëdhënien me qeverinë. Nëse flas për reformën zgjedhore është influence e krimit dhe parasë në procesin zgjedhor dhe zgjidhja e kësaj çështje është e nevojshme. Sa i përket asaj kushtetuese mendoj se orientimi i Shqipërisë duhet të jetë drejt një shteti të së drejtës ku individi është në plan të parë, kufizimi i autoritetit të ekzekutivit dhe ndarjen e pushteteve.”, shprehet Mediu.
Ndër të tjera Mediu tha se opzoita nuk ka asnjë skenar për bllokimin e seancës së kuvendit. (D.D/Shuplaka)