Protesta e opozitës është tema kryesore e ditës së sotme, që ka sjellë mjaft reagime dhe kundër-reagime nga të gjitha palët.
Avokati Spartak Ngjela, mbështetës i fortë e të majtës, ka deklaruar se me protestën e sotme opozita ka pësuar një disfatë të sigurt.
Në një reagim në “Facebook”, Ngjela shkruan se pas njëqind vjetësh në Tiranë dështoi haxhiqamilizmi i dytë.
“Pas njëqind vjetësh në Tiranë dështoi haxhiqamilizmi i dytë: në fakt, sepse ishin të pafuqishëm esadistët e rinj të Tiranës. Edhe kjo pritej: dihet që Amerika sot është shumë më e fortë se Austo-Hungaria e djeshme, prandaj disfata neoesadiste ishte e sigurt.”, shkruan Ngjela.
REAGIMI I NGJELËS
Forca imagjinare ra përfundimisht.
Sot, në Tiranë, më 13 maj 2017, korrupsioni e humbi përfundimisht luftën: rreth 3 mijë njerëz të gënjyer nuk bënë dot asgjë. Pse, vërtet kishit menduar që antivlera mund të bënte revolucion antiperëndimor në një vend të përkrahur nga Perëndimi?
- Në fakt, pikërisht për këtë, kjo ishte një disfatë e sigurt. Ka shumë raste në histori kur fillimi dhe fundi i një procesi është e njëjta gjë.
Por nga kjo disfatë dallojnë që janë në pikëllim:
Dy liderët e Partisë Demokratike dhe
Heronjtë e Çadrës që krijuan nonsenset e republikës së re.
Veçse duhet theksuar ndërkaq se në pikëllim janë gjithashtu edhe pritësit e mëdhenj të “republikës së re” shqiptare në Moskë, në Shkup, në Athinë dhe në Beograd.
- Pas njëqind vjetësh në Tiranë dështoi haxhiqamilizmi i dytë: në fakt, sepse ishin të pafuqishëm esadistët e rinj të Tiranës. Edhe kjo pritej: dihet që Amerika sot është shumë më e fortë se Austo-Hungaria e djeshme, prandaj disfata neoesadiste ishte e sigurt.
Ishte një pamundësi absolute që çrregullimi mesjetar shqiptar të thyente aleancën aktuale shqiptaro-amerikane, dhe të pengonte anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.
lll.
Gjithsesi, asgjë nuk mund të pritej, sepse realisht “revolucioni demokratik” i Berishës ishte një dëshirë për destabilizimin e Shqipërisë, në favor të antishqiptarisë së vjetër ballkanike.
Dhe kjo sepse kurrë nuk mund t’i drejtohesh shoqërisë që të të mbrojë pasi e ke nëpërkëmbur atë dhe, me qeverisjen tënde të korruptuar, e ke lënë në varfëri ekstreme.
lV.
Partia Demokratike mbeti jashtë zgjedhjeve, se vjedhësit donin të shkatërronin Shqipërinë me të vjedhurit, në mënyrë që të ruanin gjënë e vjedhur prej tyre. Kjo ishte vërtet një filozofi degadente dhe e padëgjuar kurrë në histori. Gjënë e vjedhur prej pushtetarëve të korruptuar e ruajnë policët dhe gjyqtarët e korruptuar, dhe kurrë një popull i vjedhur barbarisht. Ja, këtë nuk mund ta dinte Saliu.
Kjo është arsyeja pse shqiptarët nuk i përkrahën sot vjedhësit e vet: i lanë të vetëm ata në fatin e tyre drejt përplasjes ligjore. Dhe ajo do të vijë.
-
Asgjë nuk mbeti më nga “revolucioni Berisha”: mirë Berisha dhe i programuari i tij Basha që bëjnë sikur kanë fituar; por më rëndë duket se janë firmëtarët e një republike të pa lindur.
Pse po heshtin heronjtë e Çadrës Republikë?
Heshtja e heronjve si rregull vjen ose si largim i tyre nga lufta, ose si mospranim i një paturpësie. Përkrahësit e Çadrës duhej ta kishin menduar më thellë fenomenin Berisha: ai tani ka marrë fund në Shqipëri.
Befas ata sot panë që “ushtria” e Berishës ishte iluzion optik si ai i Don Kishotit me kopenë e dhënve.
Në rastin kur koha mbylli sot një epokë të shëmtuar dhe të trishtë, shqiptarët ende s’kanë fituar gjë. Veçse ndërkohë e kanë në forcë të plotë tani aleancën me Shtetet e Bashkuara. Pengesa e zhvillimit modern dhe reformues të shqiptarëve u shkallmua sot nga vetë shqiptarët.
Reforma që vjen, nuk do të kursejë askënd.
Që sot shqiptarët presin të shohin të implementuar në vendin e tyre drejtësinë dhe përgjegjësinë ligjore të institucioneve moderne që duhet të drejtojnë shtetin me përgjegjësi.

Discussion about this post