Në sheshin “Mbreti Petër” në Mitrovicë kanë filluar punimet për projektin e ri, i cili do të ndërtohet në Mitrovicën veriore. Gjithçka po vijon pas shembej së murit ditën e dielë pas një marrëveshje mes dy vendeve. Ky projekt po bëhet vetëm disa metra larg nga muri prej betoni, që ishte ngritur në afërsi të urës kryesore mbi lumin Ibër, urë kjo që lidh jugun dhe veriun e këtij qyteti.
Autoritetet lokale të Mitrovicës së veriut kanë paralajmëruar ndërtimin e një konstruksioni prej betoni, i lartë 70 centimetra dhe i gjerë 120 centimetra, ndërkohë që zyrtarët e institucioneve të larta të Kosovës kanë theksuar se zbatimi i projektit të ri është në pajtim me marrëveshjen ndërmjet institucioneve qendrore të vendit dhe atyre lokale të Mitrovicës së veriut.
“Në Republikën e Kosovës nuk do të ketë më mure dhe projekti i ri është në përputhje me vendimet e institucioneve të Kosovës dhe me të drejtën e qytetarëve për lëvizje të lirë. Rruga që dikur lidhte dy pjesët e Mitrovicës do të shndërrohet në shëtitore për qytetarët”, tha Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli. (J.V/Shuplaka)