Këshilltari ligjor në PD, Gazmend Bardhi ka reaguar pas konferencës të ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Bardhi në një dalje për mediat kërkoi nga Prokuroria të hetojë deklaratat e dhënë nga ai sot, të cilat i cilësoi si kërcënim të hapur për të gjithë ata që kanë prova apo dëshmi kundër tij.
“Dokumenti që paraqiti sot Tahiri është pavlefshëm. Ai nuk po hetohet nga Italia. Ai kërcënoi sot në mënyrë indirekte të gjithë ata që kanë prova apo dëshmi kundër të tij. Tahiri është simbol i politikanit mafioz. Prokuroria duhet të hetojë për të. Duke kërcënuar punonjësit e policisë ai përbën rrezik për prishjen e provave. Të vazhdojnë hetimet dhe një kriminel si Saimir Tahiri të mos shpëtojë pa u ndëshkuar”, u shpreh ai.
Kujtojmë që ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri në konferencën e mbajtur sot në hotel “Rogner”, pasi deklaroi pafajsinë e tij nuk kurseu akuzat për opozitën.
Tahiri duke përmendur emra akuzoi politikanët e opozitës për përfshirjen e tyre në çështje më të rënda sesa atë në të cilën po hetohet. Ish ministri ndër të tjera tha se ata jo vetëm kanë larë duart me drejtësinë, por edhe kanë tallur ‘kurabien’ me popullin.
“Por nuk kanë faj që e mendojnë kështu. Nuk e kam të largët natën kur Saliu e Luli i shkuan për darkë në shtëpi në atë kohë të pandehurit Ilir Meta, vetëm një ditë para vendimit të gjykatës. E pasi kishin larë duart me drejtësinë, tallnin kurabien me popullin duke i treguar sa mirë kishte gatuar Monika rosën me kumbulla”,tha Tahiri.
(J.D/Faxweb.al)