Pas ultimatumit që i dhanë pedagogët dhe takimit që pati me ta, Ministrja e Arsimit Besa Shahini ka dhënë një deklaratë për mediat, ku sqaroi se nuk kishte pasur dakordësi mes tyre.
Duke folur për takimin e sotëm, ajo ka thënë prerë se “bojkoti dhe ultimatumet nuk janë mjetet e nevojshme në një situatë kur vëmendja jonë është te arsimi i lartë dhe kemi nisur procesin e dialogut”.
Ministrja nuk ka analizuar asnjë nga pikat e paraqitura nga ana e pedagogëve, duke deformuar qëllimin e takimit, në prezantimin e Paktit për Universitetin.
“I ftova për t’i shpjegur paktin për universitetin, dhe se kemi qëllim të përbashkët, përmirësimin e cilësisë së Arsimit të Lartë. Nuk u dakordësuam, por është krejt normale. Takimi shërbeu për të shuar edhe keqkuptime që disa pedagogë kishin për paktin, ne do të vazhdojmë ti dëgjojmë të gjithë por do të vijojmë duke udhëhequr. Për të arritur në fund tek një kontratë mes qeverisë dhe studentëve”- tha ajo.
Pedagogët që ishin në takim me ministren janë: Mark Marku, Rezart Prifti, Marinela Sota, Altin Shegani, Jani Marka, Erika Bejko.
Marku pas takimit e cilësoi fyerje të inteligjencës së tyre përpjekjet e Shahinit për t’iu shpjeguar paktin.
Lista e plotë e kërkesave të pedagogëve:
- Rinkonfirmojmë mbështetjen e studentëve për kërkesat e tyre.
- Shprehemi kundër Ligjit “Për arsimin e Lartë” 80/2015, si dhe kërkojmë shprehjen e vullnetit të qeverisë për fillimin e procesit legjislativ për hartimin e një ligji të ri për Arsimin e Lartë, në bashkëpunim me studentë, pedagogë dhe aktorë të tjerë të rëndësishëm, në një proces konsultimi të hapur dhe gjithëpërfshirës.
- Kërkojmë shfuqizimin e menjëhershëm të VKM-ve të datës 26 dhjetor 2018: Nr.777, Nr.781, Nr. 783, si dhe urdhrat po të datës 26 dhjetor: Nr.183: Nr.184: Nr.185, të cilat bien në kundërshtim me autonominë universitare dhe lirinë akademike.
- Kërkojmë rritjen e buxhetit për arsimin e lartë publik, si dhe
- Ndalimin e menjëhershëm të fushatës denigruese ndaj pedagogëve dhe miratimin e statusit të pedagogut.
(E.K/FAXWEB.AL)
Discussion about this post