Nga Rezarta Caushaj*
Progresi me Planin Kombëtar të Integrimit në një vit
Duke qënë se sapo është publikuar në Faqjen e Ministrisë raporti i radhës i Planit Kombëtar të Integrimit, kemi vendosur të krahasojmë raportet e publikuara gjatë kësaj perjudhe 9 mujore me ato të një viti më parë. Analiza e parë e dedikuar këtij raporti është bërë nga APPA gjatë muajit gusht 2015[1] dhe do të merret si pikë reference për progresin dhe rekomandimet tona në atë kohë[2].
Ministria ka bërë një ndryshim në aspektin e analizës jo sasiore të punës së ministrive, ku nëse më parë ajo sillte rregullisht në vëmendje dy arsye për mospërmbushjen e planit, në vitin 2016 ka vendosur të mos i risjell ato në vëmendje:
Planifikimi i dobët nga ana e Ministrive i burimeve dhe kohës së nevojshme për hartimin e projekt-akteve;
Koordinimi i dobët ndërinstitucional gjatë hartimit të projekt-aktit dhe mungesë e reflektimit të vërejtjeve të ministrive të tjera duke sjellë vonesa në miratimin e projekt-aktit pas paraqitjes së tij për miratim në Këshillin e Ministrave.
Sipas vlerësimit tonë është pak e besueshme, duke analizuar statistikat, që arsyet e mësipërme të mos jenë më të vlefshme, për shkak se përmbushja e detyrimeve nga ana e institucioneve mbi masën e dokumenteve të miratuara qëndron në raporte pothuajse të pandryshueshme.
Ministria në fakt premton një pasqyrë krahasuese të të dhënave me një vit më parë, por nuk e përmbush një gjë të tillë. Citojmë: “Në vijim, pasqyrohen në tabela dhe grafikë situata e realizimit të PKIE-së për nëntëmujorin e parë të vitit 2016 sipas kapitujve dhe institucioneve përgjegjëse si dhe një krahasim i situatës së realizimit të PKIE-se me të njëjtën periudhë të vitit pararendës[3]”. Në të vërtetë, do të gjejmë vetëm të dhënat për 9 mujorin e 2016 të renditura për çdo ministri e për cdo artikull të Acquis Communautaire.
Nga viti i kaluar duket sikur, po të gjykojmë nga përqindja e miratimit të akteve ligjore dhe dokumenteve strategjike, kemi një përmirësim të vogël:
nga 40% në 2015 në 48,6% për projektaktet;
nga 35% në 38% për dokumentet strategjikë.
Në terma real, vitin e kaluar janë miratuar rreth 81 masa ligjore e 13 dokumente startegjikë, përkundrejt 73 masave dhe 11 dokumenteve të miratuara këtë vit; pra krahasimisht më pak në numër.
Gjatë vitit 2015 institucionet që paraqiteshin më dobët në raport më numrin e projektakteve të planifikuara ishin Ministria e Financave, Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Ministria e Trasporteve dhe Ministria e Energjisë dhe Industrisë. Ndërsa ato që i kanë përmbushur krahasimisht më shumë detyrimet ishin Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë dhe Ministria e Mjedisit, duke mos llogaritur ato Ministri që figurojnë të kenë miratuar projektaktet në masën 100% për shkak se kanë patur vetëm 1 të planifikuar. Gjendja e përgjithshme për pjesën më të madhe të institucioneve kryesore është shumë e dobët.
Situata një vit më vonë[4] nuk ka ndonjë ndryshim të madh, kryesojnë përmbushjen e planit mbi 50% Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural, Ministria e Shëndetësisë, Ministria e Mjedisit dhe Minsitria e Brendshme. Ndërkohë që Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Ministria e Trasportit dhe Ministria e Arsimit dhe Sporteve kanë qënë këtë vit në nivele të ulëta. Ndoshta arsyeja përse Ministria e Integrimit ka hequr dorë nga vërejtjet, që janë pjesë e përshkrimit të saj të punës ndaj ministrive të linjës, ka të bëjë me faktin se ministria në fjalë ka bërë një hap të dukshëm prapa nga një vit më parë ku kishte miratuar 4 nga 4 projektaktet, ndërkohë që këtë vit asnjë nga 5 masat ligjore të parashikuara.
Një nga rekomandimet që janë përfshirë në raportin e mëparshëm të APPA-s mbi procesin e raportimit të Planit Kombëtar të Integrimit kishte të bënte specifikisht me adresimin e problemeve të hasura të moskoordinimit institucional, kapaciteteve të kufizuara administrative, por edhe paraqitjen e një plani korrigjues/disiplinues nga ana e Ministrisë. Asnjë nga këto propozime nuk është marr parasysh vërejmë me keqardhje, jo vetëm nga rezultatet që shërbejnë si tregues për mungesën e veprimeve reflektuese nga ana e institucionit, por edhe nga mungesa e deklaratave zyrtare.
Shqipëria, hapje negociatash?
Në një mbledhje të zhvilluar më 14 tetor pikërisht me Komitetin e Koordinimit Ndërinstitucional për Integrimin Europian[5] për t’u përgatitur sipas Znjs. Gjoshës për hapjen e negociatave me BE, ajo bëri thirrje që të zgjidhen ekspertët më të mirë të fushës nga ministritë përkatëse. Gjithashtu, u shpreh e gatshme të ofrojë të gjithë ndihmën e saj për përshpejtimin e procesit të hartimit të akteve të mbetura: “Ky plan duhet të përputhet edhe me Planet Operacionale të ministrive tuaja si dhe me Programin Analitik të projekt-akteve të Këshillit të Ministrave”.
Të ndalemi një moment te implikimi i tërthortë se vendi ynë do të marrë një rekomandim për hapje negociatash së afërmi, ku përveçse kapacitetet tona potenciale administrative janë në kontrast me vetë statistikat e MEI-t, na duhet të pyesim si ka mundësi që kjo mbledhje vjen kaq vonë. Nëse Ministria e Integrimit është e sigurtë në punën e vetë, atëherë ajo duhet të kishte grupuar burimet njerëzore më të kualifikuara dhe ekspertët e fushës me kohë. Gjithashtu dyshojmë në aftësitë e ministrisë për të ndihmuar ministritë e linjës që kanë dështuar në përmbushjen e detyrimeve, në një kohë që ajo vetë rezulton një prej tyre.
*Titulli redaksional. Publikuar në tetor. Caushaj është analiste e APPA’s që raporton për punën e ministrive dhe integrimin në BE.