Siç kishte premtuar, për të mposhtur frikën tek qytetarët e vendit të tij, kryeministri francez Jean Castex ishte ndër të parët që mori dozën e AstraZeneca, pas autorizimit që mori kjo vaksinë nga Agjencia Europiane e Barnave të Enjten për të vazhduar me injeksionin.
Vaksinimi me AstraZenecan rinisi këtë pasdite në Francë, pas bllokimit nga disa vende europiane që nisi të fillim të këtij muaji. Dyshimet që më pas u hodhën poshtë nga Agjencia Europiane e Barnave ishin se vaksina ishte shkaktare e trombozave tek disa të vaksinuar, mes të cilëve kishte edhe fatalitete. Megjithatë, autoritetet franceze thonë se këtë vaksinë do ta marrin vetëm personat mbi 55-vjeç.
Këtë të Premte, injeksionin me AstraZeneca do e marrë edhe kryeministri britanik Boris Johnson, vendi i të cilit e ka zhvilluar. Vaksinimi rinis këtë të Premte edhe në Gjermani dhe Itali, ndërsa në vende të tjera që e kishin bllokuar, si në Spanjë, Portugali, Holandë, Bullgari e Sllovaki, AstraZeneca do të nisë të injektohet sërish nga java e ardhshme.