Prurjet e shumta të ujit nxorrën në pah problemin e ndotjes së lumenjve.
Lumi i Gjolës, që përshkon Tiranën, Krujën dhe Durrësin të ngjason me një kosh gjigant mbetjesh urbane.
Pamjet e dy anëve të lumit të ngjasojnë më shumë me një vendgrumbullim mbetjesh se sa brigjet normale të një lumi.
Pavarësisht se ambientalistët e kanë ngritur prej kohësh shqetësimin për ndotjen e këtij lumi, sërish pamjet janë shokuese.
Olsi Nika, Drejtor Ekzekutiv i EcoAlbania, thotë se “kjo është vetëm pjesa e dukshme, pasi dëmi më i madh i shkaktohet faunës që jeton në ujra”.
“Kjo ndotje vjen në pjatat dhe tyrezat tona, sepse ky ujë derdhet në det, aty ku ushqehen peshqit dhe zogjtë.”
Duke qenë se ndotësi kryesor është plastika, ai thotë se është e pafalshme që kjo lëndë e parë nuk nuk shkon për industrinë e riciklimit.
“Pjesa më e madhe e këtyre mbetjeve është plastikë dhe këto duhet të ricikliohen. Nuk duhet të lejohet që të hidhen në lumenj. Kjo është lëndë e parë për industrinë e riciklimit. Është para e hedhur. Gjithçka vjen si pasojë e keqmenaxhimit të mbetjeve të ngurta”, shprehet Nika për Citizens Channel.
Sipas tij kjo situatë është edhe në lumenj të tjerë të Shqipërisë, prandaj shteti duhet të marrë masa urgjente për të përmirësuar situatën.
“Zonta të tëra rurale dhe urbane në Shqipëri që nuk kanë një kontenier ku të hedhin mbeturinat. Në këto kushte e kemi të vështirë të flasim për ndarjen në burim. Prandaj duhet të investohet për të krijuar infrastrukturën e nevojshme ligjore dhe logjistike për të përmirësuar situatën, e cila nuk mund të zgjidhet vetëm me super aksione pastrimi,” përfundon Olsi Nika. Citizens Channel