Një ngjarje e rëndë ka ndodhur ditën e sotme në Kavajë ku një kalimtar i rastit rreth 50-vjeç i identifikuar si Ramazan Hasalliu ka mbetur i vdekur nga breshëria e plumbave, e ndërkohë që 5 të tjerë janë plagosur.
Nga informacionet paraprake, raportohet se në hyrje të qytetit të Kavajës rreth orës 12:30, te stacioni hekurudhor, dy grupe kriminale janë përplasur me armë zjarri, ndërsa nga breshëria e mbi 15 plumbave që kanë vërshuar ka mbetur i vdekur 50-vjeçari Ramazan Hasalliu, që nuk kishte lidhje me ngjarjen, pasi sapo kishte blerë buke dhe po dilte nga furra kur e kapën rastësisht dy plumba.
Bëhet me dije se kanë qënë Marjus dhe Denis Aliaj të dy vëllezër dhe Eljo dhe Erald Hyka, po ashtu vëllezër, të cilët janë përplasur me njëri-tjetrin.
Zënka mes të rinjve kishte nisur mbrëmjen e kaluar, ndërsa paradite është rrahur Denis Aliun, ndërsa një orë më pas e kishin lënë për t’u sqaruar në një lokal në hyrje të Kavajës pranë një furre buke, ku ndodhi dhe ngjarja.
Autorë të dyshuar të kësaj ngjarje janë Marjus Aliaj dhe vëllai i tij Denis Aliaj. Marjus Aliaj ka mbetur i plagosur në këtë ngjarje dhe po mbahet nën vëzhgim nga ana e policies në Spitalin e Durrësit, ndërkohë që vëllai i tij Denis Aliaj është arrastisur, e tashmë i shpallur në kërkim nga policia.
5 personat e tjerë të cilët mbetën të lënduar u transportuan nga patrulla e policisë dhe u dërguan në spitalin e Durrësit, ndërsa një prej tyre në gjendje të rëndë është nisur drejt spitalit të Traumës në kryeqytet.
3 prej të plagosurve janë identifikuar si: Sali Mekja, Rustem Dedaj, Arben Ajdini.
Ndëkohë që policia për këtë ngjarje ka dal me një njoftim zyrtar:
“Sot rreth orës 12:30 në lagjen nr. 2 Kavajë, pas një konflikti mes disa personave, ka mbetur i vrarë shtetasi R. H., (kalimtar i rastit) dhe kanë mbetur të plagosur 5 shtetas, të cilët po marrin mjekim në spitalin e Durrësit, jashtë rrezikut për jetën.
Shërbimet e Policisë me marrjen e njoftimit, kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe falë veprimeve të shpejta kanë bërë të mundur identifikimin e autorëve dhe janë vënë në ndjekje të njërit prej tyre.
Për zbardhjen e plotë të ngjarjes u ngrit menjëherë një grup i posaçëm hetimor nën drejtimin e Prokurorit të Rrethit dhe nga veprimet paraprake dyshohet se autorët e ngjarjes janë dy vëllezër, shtetasit M. A dhe D. A.
Shtetasi M. A (autori i dyshuar), mbahet në ruajtje nga shërbimet e Policisë në spitalin e Durrësit, pasi është i plagosur.
Policia është vënë në ndjekje të autorit tjetër, shtetasit D. A. dhe vijon krehja e zonës për kapjen e tij
Policia ka bllokuar dy automjete që u përkasin pjesëtarëve të palëve që janë konfliktuar.
Janë shoqëruar në Komisariatin e Policisë Kavajë disa persona dhe vijon puna për shoqërimin e personave të tjerë.
Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.”-shkruan policia.
Për ngjarjen e rëndë ka reaguar menjëherë dhe Presidenti Ilir Meta dhe ish-deputeti I Partisë Demokratike Enkelejd Alibeaj.
Reagim i Presidentit:
Presidenti i Republikës Sh.T.Z Ilir Meta shpreh shqetësimin e thellë për ngjarjen tepër të rëndë dhe tragjike, të ndodhur sot në qytetin e Kavajës, ku një qytetar i pafajshëm humbi jetën dhe disa qytetarë të tjerë u plagosën.
Presidenti Meta pati një bisedë telefonike me Kryetarin e Bashkisë së Kavajës, z.Isa Sakja dhe i kërkoi t’i përcjellë ngushëllimet dhe solidaritetin e Tij më të sinqertë të afërmve dhe familjarëve të qytetarit që humbi jetën, si dhe u uron shërim të shpejtë të gjithë të plagosurve.
Presidenti Meta kërkon nisjen e menjëhershme të hetimeve për këtë ngjarje të rëndë, zbardhjen e shpejtë dhe të plotë të saj, si dhe vënien para përgjegjësisë të autorëve.
Presidenti Meta thekson domosdoshmërinë e rritjes së gatishmërisë së Policisë së Shtetit dhe agjencive ligjzbatuese, për të marrë të gjitha masat e duhura për garantimin e sigurisë publike në vend dhe parandaluar përsëritjen e ngjarjeve të tilla kaq të rënda e tragjike.
Reagim i ish-deputetit Enkelejd Alibeaj:
Nje qytetar u vra sot ne Kavaje, ndersa ishte duke blere buke. Ne mes te qytetit, ne mes te dites, perplasjet me arme terrorizojne qytetaret. Krimi nuk e ka me frike qeverine sepse ajo eshte thjesht zgjatim i tij! Policia eshte e zene me arrestime politike pasi krimi ka imunitet nga pushteti ne shqiperi.
Zoti ua lehtesofte dhimbjen familjareve te Ramazan Hasalliut. Sherim te shpejte te plagosurve.