Mbrëmjen e djeshme u shoqërua në ambientet e komisariatit të policisë, kreu i Partisë Demokratike në Gramsh, Elmaz Haruni, me pretendimin se kishte kundërshtuar veprimet e efektivëve blu.
Në një lidhje telefonike për Fax news, Haruni ka thënë sot se në momentet e ndalimit të tij kanë qenë 15 policë të cilët e kanë provokuar, dhe se ai ka edhe video që e dëshmojnë këtë.
Ai thotë se ndalimi i tij ka qenë tendenciozë, dhe policët i kanë detyruar që ai të dalë nga vetja, duke përdorur dhe disa fjalë ofenduse.
Sa i përket drejtuesit të mjetit nëse ishte apo jo në gjendje të dehur kreu i PD-së në Gramsh, tha se ata kishin qenë në një lokal, po vetëm kishin trokitur duart me demokratët.
‘’Jam lënë i lirë në orën 3 të mëngjesit nga komisariati. Ishin 15 policë që kërkuan dokumentet, dhe aty nisi konflikti. Jemi ndjerë të provokuar, pasi ky ishte një akt i pastër presioni.
Ne ishim në një kafe, siç ndodh rëndom në kafene, trokitëm gotat me demokratë, po as unë, as shoferi nuk ka qenë i dehur.
Gjatë kontrollit unë nuk kam dalë për asnjë moment nga makina. Nuk kam sharë asnjë polic në mënyrë të drejtpërdrejtë, e kisha me veprimin që bënë ata. Kërkuan që të na provokonin, pasi nuk është në natyrën time që të përdor një gjuhë të tillë”, tha Haruni në Fax News.
Ai u shpreh më tej se këtë çështje nuk do e lërë me kaq dhe do të bëj kallzim për ndalim me motive politike.
(E.K/FAXWEB.AL)