Donacioni i rradhës për Policinë e Shtetit, pajisje dhe automjete me vlerë rreth 345 000 euro, në funksion të përmbushjes efektive të detyrave nga Departamenti për Kufirin dhe Migracionin, Departamenti për Sigurinë Publike, Instituti i Policisë Shkencore dhe Departamenti për Policinë Kriminale.
Donacioni përfshiu automjete, jelekë mbrojtës, laptopë, programe, pajisje për leximin e dokumenteve, komplete pajisjesh mbrojtëse, radio komunikimi dhe uniforma taktike.
Ceremonia e dhurimit u organizua në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, ku Drejtori i Përgjithshëm Drejtues Madhor Ilir Proda dhe drejtues të lartë të Policisë, mirëpritën Ambasadorin e Gjermanisë Sh. T. Z. Karlfried Bergner, i cili dorëzoi pajisjet dhe automjetet.
Gjatë ceremonisë, Drejtor Proda shprehu mirënjohje të thellë për miqtë solidë të Policisë shqiptare, partnerët gjermanë, të cilët e demonstrojnë në mënyrë të vazhdueshme besimin e tyre te profesionalizmi dhe korrektesa e efektivëve të Policisë së Shtetit. Gjithashtu, Drejtori garantoi se pajisjet dhe automjetet e destinuara për sektorët kyç të Policisë së Shetit, do të rritin dukshëm rezultatet e punës së tyre, përsa i përket rritjes së performancës dhe standardeve të policimit, si dhe progresimit të luftës kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve. Më tej, Drejtori siguroi Ambasadorin Bergner, se Policia e Shtetit mbetet plotësisht e angazhuar për intensifikimin e bashkëpunimit me agjencitë ligjzbatuese gjermane, me qëllim përmbushjen e objektivave të përbashkët.
Ndërkaq,
Ambasadori Bergner theksoi rolin e rëndësishëm të Policisë së Shtetit Shqiptar në ndërtimin e shtetit të së drejtës, i cili është qëllimi i anëtarësimit në BE. Ai u shpreh që urat e konsoliduara të partneritetit ndërmjet policisë shqiptare dhe policisë gjermane janë ndërtuar me kontribut reciprok dhe duke patur prioritet luftën e përbashkët kundër krimit. Ambasadori garantoi se bashkëpunimi me Policinë e Shtetit do të vijojë të jetë konkret dhe direkt nëpërmjet donacioneve, trajnimeve, skuadrave të përbashkëta hetimore, shkëmbimit të metodave dhe praktikave, si dhe nëpërmjet operacioneve me impakt ndërshtetëror.