Nga Valmora Gogo
Në këtë prag fushate, politikanit Ben Blushi e ke të vështirë t’i rrëmbesh minuta për një intervistë. Megjithatë, në rrëmujën e punëve të shumta që ka një parti e re, Blushi e gjen kohën.
Në këtë intervistë të ”Shuplakës”, deputeti që braktisi Partinë Socialiste për të krijuar një parti të re tregon nëse do t’a njohë rezultatin e zgjedhjeve, a ka ndërmend të bëjë koalicion, çfarë mendon për marrëveshjen Rama-Basha dhe sigurisht nuk heziton të rrëfejë se ”LIBRA” do jetë surpriza më e madhe e këtyre zgjedhjeve.
Si e komenton mesazhin e djeshëm të Berishës në Kuvend për dashurinë dhe xhelozinë? Po zërave se është ”investim i Ramës” si i përgjigjet?
Të gjitha në një intervistë, larg Blushit shkrimtar për të njohur projektin e ri të Blushit politikan.
INTERVISTA:
Si e komentoni marrëveshjen Rama-Basha z.Blushi? Sigurisht ju kemi ndjekur në Parlament por do donim një shtjellim pak më shumë, ose detaje që nuk janë thënë për marrëveshjen e madhe të këtyre ditëve.
Unë kam përshtypjen që s’ka më paqartësi për askënd. Është bërë një marrëveshje në kurriz të drejtësisë dhe në kurriz të zgjedhjeve dhe sigurisht në kurriz të shqiptarëve. Ishte një pakt kundër popullit e quaj unë. Pra, një pakt kundër popullit, për të cënuar zgjedhjet, për të monopolizuar zgjedhjet nga dy parti që kanë shkaktuar kaq shumë dëm në 27 vjet dhe për të krijuar imunitet personal ndaj Reformës në Drejtësi.
Reforma në Drejtësi u perceptua si diçka që ndëshkon ata që janë në opozitë dhe për këtë shkak kanë vendosur të jenë të gjithë në pushtet, të dy partitë e mëdha plus atë gjysmën e vogël që shkon njëherë me njërin, njëherë me tjetrin. Të tretën. Kjo është e gjitha dhe nuk ka asgjë për t’u habitur. Është një pakt kundër popullit.
Kur thoni pakt kundër popullit, e keni në këndvështrimin që duan vetëm t’i shpëtojnë Reformës në Drejtësi, apo parashikoni diçka më tej se kjo marrëveshje?
Absolutisht. Unë mendoj që kjo marrëveshje është më afatgjatë se kaq. Dhe nuk do krijojë më shumë liri në Shqipëri, përkundrazi do i mbysë liritë, duke filluar nga liritë zgjedhore. Nuk do krijojë më shumë hapësirë për drejtësi të pavarur, përkundrazi do i cënojë, nuk do krijojë më shumë vende pune, nuk do rrëzojë ligjin e Arsimit të Lartë, nuk do reformojë shkollat e Shqipërisë, nuk do garantojë që Shqipëria nuk është një fushë kanabisi.
Thjesht ndahen disa vende pune, të cilat ndahen mes dy partive, pa krijuar vende pune të reja dhe besoj që kjo marrëveshje ka filluar, fryt i kësaj do të jetë dekurajimi i më shumë të rinjve për të braktisur Shqipërinë. Sepse njerëz që shohin se si Sali Berisha me Edi Ramën bëhen bashkë kundër tyre, për të zgjatur pushtetin e tyre, për të krijuar më shumë imunitet, ata nuk kanë më asnjë arsye.
Edi Rama dhe Sali Berisha nuk janë më modele në shoqërinë tonë dhe kjo është arsyeja që do të dekurajojnë gjithmonë e më shumë shqiptarë për të ikur nga Shqipëria.
Le të bëjmë pak analizën e 2 tezave, ”Republikës së Re” të Lulzim Bashës, të cilën e ka shtjelluar gjerë e gjatë në çadër për 3 muaj. E besoni se kjo tezë mund të realizohet, a mund të instalohet ”Republika e Re” në Shqipëri?
Unë habitem se si e besoni ju.
Unë po pyes.
Jo fakti që më pyesni akoma për ”Republikën e Re” të Lulzim Bashës domethënë keni besuar se mund të ndodhë.
E para Lulzim Basha e ka marrë atë tezë nga ”LIBRA”. Ne kemi bërë një aktivitet në fillim të muajit janar, para se të hapej çadra, ku kemi folur vetëm se si në Shqipëri mund të krijohet një Republikë e Re. Lulzim Basha e mori atë program, atë projekt dhe e përdori si flamurin e çadrës. Ditën e parë e mbani mend, që nuk ka folur për ”Republikë të Re”. Po nuk ka rëndësi kjo. Kur vjedhin gjëra të mira, unë jam dakord.
E dyta, ”Republikë e Re” me Sali Berishën dhe me Edi Ramën natyrisht që nuk mund të ketë. A mund të ketë ”Republikë të Re” që zgjedh Ilir Metën president?! Kjo është e pamundur! Pra këta kanë bërë një pakt për ta shtyrë pushtetin edhe 5-6 vjet duke bërë çfarë? Ne kemi jetuar në republikën e korrupsionit në këto 27 vjet. Këta vendosën që ta shtyjnë afatin e këtij tranzicioni. Problemi themelor i Shqipërisë është që tranzicioni po zgjatet tej çdo mase, duke torturuar njerëz, duke mos kthyer pronat private, duke mbyllur vende pune, duke zbuar investimet e huaja, duke mbjellë Shqipërinë me kanabis, duke çuar më shumë njerëz në emigracion, duke lënë të rinjtë pa punë. Këto janë efektet themelore të tranzicionit. Këta vendosën që tranzicionin ta shtyjnë dhe pak për të mbijetuar vetë. Kështu që ”Republikë të Re” nuk mund të ketë për sa kohë që Sali Berisha, Edi Rama dhe Ilir Meta qeverisin bashkarisht.
Lulzim Basha, e kam thënë dhe në një rast tjetër ishte ”roja në derën e Republikës së Vjetër”. Dhe atë bëri në fakt. Ky ishte ”gardiani i Republikës së Vjetër” dhe atë bëri në fakt: po ruan ”Republikën e Vjetër” nga populli.
Këta vendosën të mbrojnë republikën e vjetër të tyre, Saliu, Rama, Ilir Meta dhe Lulzim Basha, ta mbrojnë nga populli i Shqipërisë. Nuk ka ”Republikë të Re” me këta. Mund të fillojë një ”Republikë e Re” ditën që do të rrëzohen dhe do të ndëshkohen me votë popullore.
Mund të fillojë?
Padyshim, pos këtyre, përtej këtyre.
Paralel me tezën e Bashës ka qenë teza e Ramës, ”Vettingu”, frika ndaj tij…
Kjo nuk është tezë.
Tezë, edhe mediatike…
Kjo nuk është një tezë. Edi Rama përdori ”Vettingun” në kushtet që besonte që PD-ja s’do ta votonte. Çadra, pra, Partia Demokratike e votoi ”Vettingun” mbasi mori garanci se do jetë në qeveri. Pra shkëmbeu arsyen për të votuar ”Vettingun” dhe nevojën për të votuar ”Vettingun” me…
Atëherë ta themi që ishte një ”armë” që Edi Rama e përdori..
Po mirë, komentoheni me Edi Ramën, a mund të flas për veten time?
Po por unë dua të di mendimin tuaj rreth kësaj?
Jua thashë pra. Ishte një mashtrim, në qoftë se keni qenë e vëmendshme që këta e cënuan Reformën në Drejtësi me paktin kundër popullit që bënë sepse vendosën që askush prej tyre nuk ndëshkohet. Është pakti që u bë.
Mendoni që Basha dhe Rama do të qeverisin së bashku?
Ka shumë gjasa që po.
Pra parashikoni një koalicion PD-PS?
Ata janë marrë vesh për një koalicion të madh sepse askush prej tyre nuk ka numrat për të qeverisur vetëm.
Cila do jetë opozita?
Nuk ka më opozitë. Nuk ka më opozitë sot! Partia Demokratike pretendoi se ishte në opozitë. E nxori populli i Shqipërisë në opozitë në vitin 2013-të.
Në vitin 2013-të populli shqiptar votoi që Partia Demokratike mbas 8 vjetësh qeverisje shumë të keqe, të dilte në opozitë. PD-ja më në fund hyri në qeveri. Pra u përpoq 3 vjet mbasi u fut në çadër 3 muaj, u fut në qeverinë e Edi Ramës. Pra është në bashkëqeverisje me Edi Ramën. Kanë vendosur të qeverisin bashkë edhe disa kohë, e thashë, për t’u mbrojtur edhe nga drejtësia për faktin se asnjëra nga të dyja nuk ka shumicën absolute të votave për të bërë qeverinë e vet.
Në këto kushte e vetmja opozitë në Shqipëri është LIBRA. Nëqoftë se keni parasysh votimin e fundit, vetëm LIBRA votoi kundër kësaj qeverie. Votoi kundër bashkëqeverisjes PS-PD, çadra, rilindja, partia e presidentit. LIBRA votoi kundra dhe në 25 qershor këto 3 parti do të shkojnë në zgjedhje bashkë, pra të treja bashkë në qeveri, do kërkojnë vota kundër kujt? Kundër popullit, them unë. LIBRA është e vetmja mundësi për popullin e Shqipërisë për të votuar një opozitë të vërtetë, reale, që ka dalë për të rrëzuar qeverinë e Sali Berishës dhe Edi Ramës.
Ka një pretendim të disa prej kryetarëve të partive të vogla, për penalizimin që po u bëhet këtyre partive për zgjedhjet, pas marrëveshjes. Ju si parti e re a ndjeheni të rrezikuar?
Ne nuk ndjehemi fare të rrezikuar. Kur LIBRA është krijuar, i ka marrë parasysh që këta do ishin bashkë, që nuk do kishte numërues, që do kishte kohë të pabarabartë televizive dhe që financimet e zeza dhe të bardha do t’i shkonin prapë këtyre të treve. Dhe ka dalë në betejë për t’i rrëzuar. Ne nuk kemi asnjë ankesë. Nuk na prish punë se çfarë pakti bënë këta, për shkak se besojmë që kemi aq vota që mund ta kërcënojmë apo prishim këtë pakt, herët apo vonë.
Pra, çfarëdo që të ndodhë, ju rezultatin e zgjedhjeve do ta njihni?
Këtë nuk e them dot. Kjo nuk është çështja sot. Çështja është që ne kemi vendosur të hyjmë në këto zgjedhje pavarësisht nga pengesat që kemi, sepse kapërcimi i pengesave është qëllimi ynë.
Ndoshta mund të jetë herët sërisht, po a parashikoni një koalicion të LIBRËS me parti të tjera që ju i gjykoni që janë afër programit tuaj?
LIBRA ka një program, i cili merr përsipër të ulë varfërinë në Shqipëri, të nxjerrë nga varfëria gati 400 mijë shqiptarë, të ulë taksat për shtresën e mesme, të mbështesë punësimin e të rinjve, të garantojë më shumë investime të huaja, të garantojë drejtësi të pavarur, të dyfishojë buxhetin e arsimit në Shqipëri dhe të modernizojë sistemin arsimor, të rrëzojë Ligjin e Arsimit të Lartë dhe të rrëzojë Ligjin e Mbetjeve në parlament. Këto janë çështjet themelore që ka LIBRA dhe LIBRA bën pakt vetëm me projektin e saj politik.
Si e kuptuat mesazhin e Berishës në Kuvend, lidhur me dashurinë, xhelozinë?
Ai provoi atë që thashë unë. Pra provoi që ka rënë në dashuri me Edi Ramën. Apo jo? Ky ishte pohimi i tij. Provoi që Sali Berisha ka rënë në dashuri me Edi Ramën apo e anasjellta, çka për të cilën nuk bëhem fare xheloz, përkundrazi dola në parlament për ta thënë një gjë që Saliu e pohoi në një mënyrë relativisht elegante. Pra ndryshimi ishte që unë e thashë, Edi Rama e pohoi në mënyrë nervoze, Saliu e pohoi në mënyrë elegante.
Si u përgjigjeni sulmeve të Ramës? Shpeshherë ju ka quajtur më shumë shkrimtar se politikan dhe nëse mund të na thoni si qëndron balanca mes politikanit dhe shkrimtarit te ju?
Unë do kisha shumë qejf të mbahesha mend si shkrimtar më shumë se sa si politikan. Kjo do ishte një kënaqësi shumë e madhe për mua që të mbahesha mend si shkrimtar, edhe do vazhdoj të jem shkrimtar, pavarësisht nga çfarë pune bëj. Edi Rama në përgjithësi nuk ka raport të mirë me librat, edhe kam përshtypjen që mund të ketë shumë vjet që s’ka lexuar asnjë libër. I vetmi libër që lexon është libri i hileve. Kështu që unë i uroj të vazhdoj ta lexojë deri në faqen e fundit, që i ka ngelur edhe shumë pak kam përshtypjen.
Ku ndodhi thyerja e madhe mes jush?
Edi Rama ka grabitur zgjedhjet. Më ka penguar të hyj në zgjedhje. Nëqoftë se ju keni jetuar në Republikën e Shqipërisë vitin e kaluar, unë kam dashur të kandidoj për të drejtuar qeverinë dhe Partinë Socialiste. Kjo mundësi m’u hoq. Partia Socialiste bëri një referendum në të cilin vendosi që Ben Blushi nuk ka të drejtë që të jetë kandidat dhe të garojë në zgjedhje dhe për këtë arsye e kam akuzuar si një njeri që më ka grabitur zgjedhjet. Kaq. Ishte një gjë që nuk mund t’ia falja askujt.
Çfarë relatash keni me të tani?
Unë nuk flas për miqësi, flas për politikë. Jemi në fushatë, në zgjedhje dhe kjo s’është intervistë kujtimesh.
Ka disa zëra, të cilët nuk janë shumë të fuqishëm, por megjithatë ekzistojnë, që mendojnë se ju jeni një ”prodhim” i Ramës. Në kuptimin që jeni një politikan që jeni investuar nga Rama për të qenë opozita, në kushtet kur opozita do mungonte. A është e vërtetë kjo? Si i përgjigjeni?
Këto janë ca idiotësira që nuk denjoj t’i përgjigjem. Sot në Shqipëri nuk ka asnjë opozitë përveç LIBRËS. Se të gjitha partitë janë bashkë.
Unë kam ikur nga PS-ja për arsye që jua shpjegova, se këta u bënë palë me krimin. Sot në Shqipëri ka vetëm një opozitë, është LIBRA.
A keni një projeksion për rezultatin e LIBRËS në zgjedhje?
Kam një projeksion që LIBRA do arrijë të jetë surpriza më e madhe e këtyre zgjedhjeve.
Që do të thotë…
Që do jetë surpriza më e madhe e këtyre zgjedhjeve.
Pse zgjodhët që së bashku me znj.Hafizi të kandidoni në Tiranë?
Kjo zgjedhje është bërë sepse këtu, duke kandiduar në Tiranë, ne kemi mundësi të administrojmë gjithë fushatën kombëtare. Nëqoftëse do ishim në vende të ndryshme, edhe mund të ishim, do ishte vështirë të administronim nga qendra, kryeqyteti, gjithë fushatën kombëtare. Pra është bërë për arsye pune, utilitare.
Nëse mund të na jepni disa detaje rreth financimit, mënyrës së organizimit të fushatës…
LIBRA është një parti që vetëfinancohet. Nuk përfiton fonde nga shteti në këtë rast, nuk përfiton fonde nga kanabisi, nuk përfiton fonde nga koncesionet, as nga tenderat, vetëfinancohet. Jemi partia më e varfër në Shqipëri, çka na bën shumë krenarë dhe duam t’i bindim të gjithë që vota për LIBRËN është e vetmja votë kundër qeverisë Berisha-Rama dhe e vetmja votë që mund t’i thotë ndal korrupsionit, emigracionit masiv dhe të hapë vende pune për të rinjtë. Këto janë qëllimet tona themelore, kjo është arsyeja pse LIBRA është krijuar si një listë e barabartë njerëzish që duan që Shqipëria të dominohet nga barazia, nga dinjiteti dhe nga dija. /SHUPLAKA
[ngg_images source=”galleries” container_ids=”1908″ display_type=”photocrati-nextgen_basic_imagebrowser” ajax_pagination=”1″ order_by=”sortorder” order_direction=”ASC” returns=”included” maximum_entity_count=”500″]