Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka shkruar në rrjetet sociale se Shqipëria do të ketë një të ardhme europiane dhe kjo do të jetë e ardhmja e shqiptarëve të cilët sipas tij duan ti japin fund padrejtësisë dhe pandëshkueshmërisë.
Sipas Bashës vendi është pa demokraci, pa Parlament, pa drejtësi duke argumentuar se shteti është kapur nga krimi i organizuar.
“Dua t’u them të gjithë atyre që akoma nuk e dinë se këtu nuk ka demokraci, nuk ka Parlament, nuk ka drejtësi dhe se shteti është kapur nga krimi i organizuar, se njeriu që ju del përpara dhe ju shitet si Kryeministër është Maduro i Ballkanit”, – shkruan Basha.
Basha shprehet se shqiptarët nuk do ta pranojnë më që ai të drejtojë vendin duke përmendur edhe faktorin ndërkombëtar ku thotë se opozita kërkon për popullin vlerat dhe parimet që ata kanë për popujt e vet, liri, demokraci dhe ligjin e barabartë për të gjithë!
Statusi i plotë i Bashës:
Zemrat tona janë të mbushura me shpresë dhe kurajo që buron nga shpirti i një populli të bashkuar. Shqipëria do të ketë një të ardhme europiane dhe kjo do të jetë e ardhmja juaj, e familjeve tuaja, e fëmijëve tuaj, e njerëzve të ndershëm të këtij vendi që duan t’i japin fund padrejtësisë, që duan t’i japin fund pandëshkueshmërisë.
Dua t’u them të gjithë atyre që akoma nuk e dinë se këtu nuk ka demokraci, nuk ka Parlament, nuk ka drejtësi dhe se shteti është kapur nga krimi i organizuar, se njeriu që ju del përpara dhe ju shitet si Kryeministër është Maduro i Ballkanit. Ne nuk do të pranojmë më një kryeministër bandit, të kapur në flagrancë duke vjedhur votat e popullit në bashkëpunim me mafiozët, trafikantët, bandat e krimit të organizuar, duke vjedhur qindra miliona nga xhepat e shqiptarëve që nuk paguajnë dot bukën e gojës për fëmijët e tyre.
Sytë e Europës janë sot tek ky shesh: ne kërkojmë për shqiptarët vlerat dhe parimet që ata kanë për popujt e vet, liri, demokraci dhe ligjin e barabartë për të gjithë!
(F.GJ/FAXWEB.AL)