Politikani suedez Carl Bildt ka shkruar në llogarinë e tij në Tëitter, se forcat ajrore dhe flota ruse në Detin e Zi janë në gjendje alarmi, pas paralajmërimit se mund të ndodh një sulm.
Ministria ruse e Mbrojtjes ka urdhëruar flotën ruse të jetë në nivelin më të lartë të gatishmërisë pas paralajmërimit se mund të vjen deri të një sulm, pasi janë parë anijet luftarake të SHBA-ve, Britanisë së Madhe dhe Francës duke lundruar në drejtim të Sirisë.
Presidenti Trump tha dje se do të marrë “vendime të rëndësishme” brenda 24 deri 48 orëve të ardhshme për mënyrën se si do të reagojnë Shtetet e Bashkuara në lidhje me sulmin kimik në Siri për të cilin SHBA-të akuzojnë regjimin sirian.
Gjatë një takimi në Shtëpinë e Bardhë, zoti Trump i tha kabinetit se SHBA do të gjejnë se kush është përgjegjës për sulmin: Siria, Rusia, Irani apo “të gjithë bashkë”. “Po e shikojmë këtë çështje shumë fort, shumë seriozisht,” tha ai. Presidenti amerikan e quajti sulmin “monstruoz”. Po të hënën, Sekretari amerikan i Mbrojtjes Jim Mattis thotë se Shtetet e Bashkuara nuk përjashtojnë një veprim ushtarak kundër Sirisë, pas komenteve të Presidentit Donald Trump se ata që ndërmorën sulmin kimik të së shtunës do të paguanin një çmim të lartë.