Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka udhëtuar për një vizitë zyrtare te arbëreshët në Kalabri të Italisë.
Në rajonin e Kalabrisë, presidenti Thaçi do të takojë prefektin e Kozencës, Gianfranco Tomao, presidentin e Provincës së Kozencës, Franco Iacucci, kryetarin e Bashkisë së Kozencës, Mario Occhiuto dhe kryetarët e tjerë të Bashkive Arbëreshe të Kalabrisë.
Gjatë qëndrimit në Kozencë, presidenti do të bëjë homazhe te monumenti i Skënderbeut dhe do ta vizitojë edhe Kishën Arbëreshe.
Gjithashtu, ai do ta vizitojë edhe Universitetin e Kalabrisë, ku do ta takojë rektorin, profesorët dhe studentët shqiptarë.
Pas vizitës në Universitetin e Kalabrisë, presidenti Thaçi do ta takojë edhe Ipeshkvin e Dioqezës Arbëreshe të Ungrës, Imzot Donato Oliverio.
Ndërsa, pasdite, në fshatin arbëresh të Shën Sofisë (Santa Sofia d’Epiro), presidenti do ta takojë edhe komunitetin arbëresh dhe Kryetarin e Bashkisë, Gianfranco Ceramella.
Gjatë qëndrimit në këtë provincë të Kozencës, në Kolegjin Arbëresh të Shën Adrianit, presidenti Thaçi do të takojë edhe Kryetarin e Bashkisë së Shën Mitrit, Salvatore Lamirata, Drejtoreshën e Liceut, Concetta Smeriglio, si dhe përfaqësuesit e Shoqatave Kulturore Arbëreshe. (B.H/Shuplaka)