San Martino di Finita, San Benedetto Ullano dhe Cerzeto ishin tre komunat e tjera të Kozencës që mikpritën sot Kryetarin e Shtetit.
Në sheshin e San Martino di Finita, në hyrje të të cilit ndodhet shqiponja dykrerëshe, ai u prit nga drejtuesit e komunës dhe banorët arbëreshë e shqiptarë, të cilët kanë shkuar aty pas viteve ’90. Veç historisë së ruajtur në arkitekturë, San Martino di Finita ka të arkivuar në bibliotekën e komunës edhe të gjithë të shkuarën e lashtë. Presidenti Begaj vizitoi bibliotekën dhe kishën e ndërtuar nga arbëreshët në fillim të shekullit të XVI dhe përcolli mesazhin e vijimësisë së traditës për të promovuar këtë thesar historik.
“Kjo është një kërkesë që i bëhet Fondacionit Arbëresh të Kalabrisë për të vizituar të gjitha komunat arbëreshe, kërkesë e lidhur me mundësinë për t’u takuar së bashku, për të dëgjuar njëri-tjetrin, për të mundësuar realizimin e të gjitha nevojave dhe problemeve të zgjidhshme që ju mund të keni”, – theksoi Presidenti nga San Martino di Finita, ndërsa shprehu besimin se veç tij, që është i pari President shqiptar që viziton këto komuna, do të vijnë më pas edhe të tjerë personalitete për të mundësuar një shkëmbim idesh e vizionesh për të ardhmen e përbashkët.
“Besoj se pas vizitës sime të parë arritëm diçka. Rai Calabria tashmë ka një program në arbërisht”, – u shpreh Presidenti Begaj, i cili premtoi projekte të tjera, të cilat duhet t’u shërbejnë të rinjve, pasi do të jenë ata që do të trashëgojnë dhe do të promovojnë vlerat e Arbërisë dhe kombit.
Më pas Presidenti Begaj vizitoi qytetin e lashtë, San Benedetto Ullano, ku u prit nga banorë të veshur më kostume tradicionale, të cilët e shoqëruan atë përgjatë vizitave në Muzeun e Palazzo Bisciglia, ku ruhet çdo dokument i arbëreshëve të parë që ndërtuan këto rajone, si dhe në kishën e ndërtuar nga familja Rodota me origjinë nga Shkodra.
“Jam këtu t’ju falënderoj për të gjithë ushqimin që ju jepni i përditë atdhedashurisë, ushqim që fillon me mbrojtjen dhe përdorimin e gjuhës arbëreshe, dhe vazhdon të tregohet çdo ditë me historitë tuaja dhe me portat që ju sapo keni zhvilluar si projekte për të vazhduar për të trajtuar historinë e Arbërisë”, – u shpreh Presidenti Begaj, duke vlerësuar projektin “Le Porte Narranti” në San Benedetto Ullano, me dyer të vjetra të pikturuara, që ruajnë trashëgiminë identitare, historinë dhe gjuhën arbëreshe.