Vetëm para pak ditësh Kryeministri Edi Rama prezantoi projektin eTeatrit Kombëtar.
Njëri nga personat që kanë mbetur të pakënaqur nga ky ndryshim I madh është aktorja Anila Basha.
Në një intervistë për “Shekulli”, Basha u shpreh se Shqipëria duhet të ketë një TK në një vend dinjitoz, ndërsa godina aktuale të ruhet, si një vlerë historike.
Më tej aktorja vë në pah edhe sjelljen “arrogante” të Kryeministrit, i cili në prezantimin e projektit për Tetarin e ri Kombëtar, sipas artistes, është treguar i kujdesshëm që prezentë të jenë “të preferuarit” e tij.
Zonja Bisha, cili është mendimi juaj për projektin e Tetarit të ri Kombëtar, tashmë të prezantuar?
Prezantimin e projektit e kam parë vetëm në televizion pasi kryeministri mendoi që të pranishëm të ishin vetëm të preferuarit e tij, duke u treguar i kujdesshëm që të ftojë edhe ndonjë “kundërshtar”. Teatri Kombëtar vërtet nuk është shqetësim vetëm i trupës, por i gjithë shoqërisë, edhe pse është trupa ajo që ka lidhje direkt e të përditshme, duke mbetur njohësja më e mirë e problematikave të tij.
Trupa e teatrit ku bëj pjesë edhe unë prej më shumë se 25 vjetësh, apo kolegë që kanë mbi 30 vjet, si aktorë në organikën e tij u shpërfillën në këtë prezantim. Përse? Sepse kryeministri siç edhe veproi donte të jepte “sihariqin” e realizimit të ëndrrës së tij 20-vjeçare që i erdhi dita ta shkatërrojë teatrin kombëtar, këtë memorie historike në një ‘big market’, ku do të jetë edhe një sallë shfaqjeje multifuksionale me rreth 600 vende (godinat në ambientet e teatrit sot janë 4 salla, ku përfshihet salla e TK me mbi 450 vende dhe 3 salla të Teatrit Eksperimental me rreth 400 vende) po që askush nuk e di se sa do të jetë skena, apo edhe ambientet e tjera, që janë domosdoshmëri për aktivitetin normal të teatrit.
Përveçse hapësirës së jashtme, ajo që u evidentua më së tepërmi nga arkitekti danez, ishin baret, restorantet edhe dyqanet e vogla. Çfarë mendoni rreth kësaj?
Këtu ai ka të drejtë… Sot trupa e teatrit me përvojën e saj është shumë pak prezentë në raport me të “ftuarit”, të cilët nuk po sjellin cilësi, duke krijuar një opinion tek shikuesi, opinion ky i cili ka mbërritur deri tek kryeministri. Mirë do të ishte që, vetë ai të frekuentonte ndonjëherë teatrin se ka mbi 20 vite, që nuk shkel në ambientet e tij, por mesa duket është betuar që në vitin 1998, që pa e shembur nuk do të shkelë më aty.
Megjithatë, kryeministri u sugjeroi artistëve që mos të kapen pas shembjes së teatrit, por të rrisin cilësinë artistike… Si tingëllon për ju ky sugjerim, veçmas në këto momente, që artisti vazhdon që të ketë një pagë minimale krahasuar me vendet ballkanike, por veçanërisht me artistët e Kosovës (10 vjet shtet), që paguhen më tepër?
Sot më duket pa vend të diskutojmë rrogat, pasi ato janë për të gjithë shoqërinë dhe në veçanti për administratën e shtetit shqiptar të ulëta. Ka shumë mendime dhe diskutime përreth statusit të artistit, por sot më e rëndësishmja është për ruajtjen e statusit të Teatrit Kombëtar. Dhënia e statusit për godinën e Teatrit Kombëtar si një vlerë historike. Sot ajo është 73-vjeçare dhe pas 100 vitesh do të jetë 173-vjeçare. Vetëm kështu do të krijohet trashëgimia kulturore. Tashmë gjithkush e di që kjo godinë ka qenë skena e të gjithë artit shqiptar. Aktorët, këngëtarët, instrumentistët, valltarët, piktorët dhe artistët e cirkut, të gjithë themeluesit e artit shqiptar janë produkt i kësaj godine. Dhe kjo është histori.
Është menduar që në vazhdim të diskutohet me komunitetin artistik për godinën. E shihni këtë thjesht, si justifikim dhe a mendoni, se artistët, duhet që të ishin pyetur, para se të prezantohej ky projekt?
Nuk besoj se do të ketë ndonjë bashkëbisedim me komunitetin e artistëve… Vetëm para një muaji u tha që nuk ka një projekt dhe papritur doli që jo vetëm që paska pasur projekt, jo vetëm kaq por edhe që qenka realizuar prej kohësh.
“Artistët që marrin pjesë në takime të shoqatës dhe sindikatës SASE, janë kundër shembjes së TK, sepse janë të paguar nga PD-ja”. Ju personalisht, çfarë përgjigjeje do t’ju jepnit këtyre aludimeve?
Është qesharake, një gënjeshtër e madhe! Artistët, anëtarë të Sindikatës së Artistëve të Skenës dhe Ekranit janë të bashkuar në këtë përballje me pushtetin për të mbrojtur Teatrin Kombëtar, sepse ata i bashkon dashuria për të dhe për ruajtjen e vlerave kombëtare. Çdo përbaltje që bëhet nga individë është e qëllimtë.
Dy janë arsyet që këta individë janë kaq delirant, ose kërkojnë të bien në sy duke ju kundërvënë opinionit të kolegëve, ose janë shërbëtorë të pushtetit nga i cili presin të shpërblehen. Në aspektin personal unë që nga viti 1991 e në vazhdim kam qenë e punësuar vetëm në Teatrin Kombëtar. Bindjet e mija politike i kam publike, duke i respektuar bindjet e të tjerëve, prandaj dhe SASE është një fuqi e madhe dhe kërkojnë ta përçajnë, sepse aty jemi të gjithë artistë dhe bindjet politike nuk përzihen me shqetësimin tonë të përbashkët që është fati i Teatrit Kombëtar.
Shoqata e artistëve të pavarur të TK-së, ka vendosur që të zhvillojnë takime me specialistë (arkitekt, juristë etj.,), duke synuar edhe krijimin e një Fondacioni për mbledhjen e fondeve për teatrin. Si e vlerësoni ju këtë?
Iniciativën për mbledhjen e fondit për teatrin e shikoj si diçka shumë pozitive, që duhet përkrahur për të mos mbetur vetëm iniciativë.
Dhe së fundmi, cila është dëshira juaj lidhur me fatin e Teatrit Kombëtar?
Ëndrra dhe dëshira ime është që vendi im të ketë një Teatër Kombëtar në një vend dinjitoz të qytetit, por edhe godina e sotme të ruhet, si një vlerë historike.
(F.M/Faxweb)