Një vrasje me armë ka ndodhur në Rrëshen gjatë ditës së sotme, ndërsa viktima dyshohet të jetë Kastriot Reçi, pronar i një televizioni lokal ”media plus” në Mirditë.
Reçi është ekekutuar në qendër të Rrëshenit, përpara biznesit të tij, ndërsa dyshohet se ngjarja ka ndodhur për motive hakmarrjeje.
Mësohet se Reçit i kanë vrarë dhe vëllanë dy vite më parë në Romë, Gasper Reçi.
Në drejtim të Reçit është qëlluar me snajper, dhe kjo ka bërë që autori/ autorët të largohen pa lënë gjurmë.
Njoftimi i policisë për vrasjen e Kastriot Reçit:
Sot, rreth orës 11:05, në afërsi të një lokali në Rreshen, Mirditë,në rrethana ende të paqarta është vrarë me armë zjarri shtetasi K.R., 47 vjeç
Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorit/eve.
Shërbimet e Policisë të D.V.P. Lezhë, të Komisariatit të Policisë Mirditë, po krehin zonën si dhe janë ngritur pika kontrolli për kapjen e autorit/eve.
Vrasja e Gasper Recit në Itali:
Gasper Reci, 43 vjeç nga Rrësheni është ekzekutuar në 2017 në banesën e tij në Via Simeri Crichi, në Tor Vergata. Nga hetimet në atë kohë nuk u arrit të identifikohej asnjë person si i dyshuar për atentatin, pasi në momentin që është vrarë shqiptari nuk ka pasur asnjë person në vendngjarje.
Në momentin që është qëlluar në banesën e Reçit ka qenë vetëm vajza e tij. Edhe pse ambulanca ka mbërritur menjëherë në vendngjarje, Gasper Reçi nuk ka mund të shpëtojë, pasi plagët e marra i kanë shkaktuar vdekjen e menjëhershme.
Hetuesit italianë bënë të ditur se Gasper Reci kishte disa precedent penal në të kaluarën për posedim dhe shpërndarje të lëndëve narkotike.
(E.K/Faxweb.al)