Gazetari Denis Dyrnjaja e ka konsideruar protestën e deritanishme të banorëve të Zharrëzës si një leksion të madh demokracie për të gjithë. Ai thotë se opozita u përpoq ta përvetësonte protestën e tyre përpara Ministrisë së Energjisë ndërsa për qeverinë ai thotë se ata duhet të kishin shkuar në Zharrëz dhe jo ata të vinin në këmbë.
“Banorët e Zharrëzës iu dhanë një leksion të fortë demokracie, të gjithëve. Qeverisë në rradhë të parë që nuk duhej të priste në zyra që të vinin ata në këmbë për 120 km nga Fieri në Tiranë, por të shkonte ministri a zv/kryeministri atje dhe t’ua zgjidhte problemin. Se dyti opozitës që paturpësisht tentoi të përvetësonte një protestë të pastër dhe të drejtë qytetare e civile për të përfituar politikisht. I treguan se të besosh vetë mashtrimet dhe hipokrizinë tënde, nuk do të thotë se të besojnë edhe të tjerët” thotë Dyrnjaja.
Sipas Dyrnjasë, një leksion i madh që banorët e Zhrrëzës dhanë ishte se për cdo problem ka një rrugë, mjafton që kauza të jetë e drejtë. Ai e ka quajtur këtë protest si më civilen në vitet e demokracisë.
“Së treti leksioni më i madh ishte për ne të tjerët për të na treguar se ka një rrugë paqësore dhe imponuese që mund të zgjidhet çdo problem, mjafton që kauza të jetë e drejtë dhe legjitime. Protesta e Zharrëzës duhet shënuar si një ndër ngjarjet historike të manifestimeve popullore më korrekte dhe më civile në këta 27 vjet demokraci në Shqipëri” shkruan Dyrnjaja. (M.D/ Shuplaka)