Deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi tha gjatë një interviste për Televizionin Fax News se turi i takimeve që po bën opozita në gjithë vendin po tregon se qytetarët janë të pakënaqur me këtë qeveri.
Sipas saj, pritjet që i kanë bërë qytetarët e Kukësit dhe Mirditës sot Bashës kanë qenë madhështore, sepse qytetarët sipas Vokshit janë ngarkuar nga taksë pas takse.
“Pritjet që i kanë bërë qytetarët e Kukësit dhe Mirditës sot Bashës kanë qenë madhështore, sepse qytetarët janë ngarkuar nga taksë pas takse të cilat janë rritur pothuajse në të gjitha sektorët. Edhe në qytetet e tjera ku kemi zhvilluar takime kemi patur një pritje mjaft të madhe nga njerëzit të cilët mbështesin opozitën dhe programin e saj”, – tha Vokshi.
Sipas saj, gjëndja se ku ndodhet arsimi sot tregon se si do të jetë shoqëria shqiptare nesër.
Deputetja theksoi se “reforma e arsimit të lartë ka ngritur një amulli në institucionet e arsimit. Kemi dëgjuar rektorët në Komision, të gjithë janë të pakënaqur me këtë reformë. Pakti për universitetin jo vetëm nuk zgjidh problemet e universitetit por është antiligjor dhe antikushtetues sepse shkel më shumë se në 10 nene ligjin e arsimit të lartë. Po si mund të bëhet kjo gjë. Rama me të arsimuarit dhe të talentuarit nuk mund të bëjë pakte më me krimin dhe kriminelët. Ai e ka krijuar me qëllim këtë situatë sepse ai nuk e do arsimin dhe të arsimuarit”.
Vokshi tha se protesta e studentëve ka shërbyer për t’iu dhënë shpresë gjithë shoqërisë shqiptare por edhe shkundi gjithë qeverinë.
Ajo foli edhe për ikjet masive të të rinjve nga vendi duke akuzuar qeverinë si shktaktaren kryesore të përzënies së tyre që sipas saj janë truri dhe mendja e kombit.
https://www.facebook.com/faxweb.al/videos/2223967317924272/
(F.GJ/FAXWEB.AL)