Policia ka vënë në pranga 4 shtetas dhe ka proceduar në gjendje të lirë 6 të tjerë pas protestës së djeshme të opozitës të mbajtur përpara Kryeministrisë.
Policia ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale në vendngjarje: 21 flakadanë të plasur, 1 bidon plastik e mbushur me benzinë, 37 bidona plastikë uji, 6 bidona të djegur me aromë benzine, 3 kapsolla.
Shtetasve të arrestuar dhe të proceduar iu sekuestruan 110 kapsolla gjatë kontrolleve fizike. Sakaq, vijohet puna për kapjen e personave të tjerë të përfshirë në akte të kundërligjshme gjatë protestës së djeshme.
Njoftimi i Policisë:
DVP Tiranë
Ushtruan veprime të dhunshme gjatë protestës së ditës së djeshme, duke hedhur lëndë piroteknike (kapsolla, flakadanë, molotov), në drejtim të punonjësve të Policisë dhe të një insitucioni shtetëror, arrestohen në flagrancë 4 shtetas dhe procedohen penalisht në gjendje të lirë 6 të tjerë.
Strukturat e Komisariatit të Policisë Nr. 1, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, në përfundim të veprimeve të para hetimore të kryera në lidhje me aktet e dhunës, gjatë protestës së zhvilluar ditën e djeshme, më datë 20.02.2024, bazuar në provat e grumbulluara, arrestuan në flagrancë shtetasit:
– K. T., 21 vjeç, A. M., 18 vjeç, B. K., 37 vjeç dhe I. S., 33 vjeç.
Në vijim të veprimeve u proceduan penalisht në gjendje të lirë shtetasit:
– A. I., 20 vjeç, R. Sh., 20 vjeç, M. M., 20 vjeç, M. S., 19 vjeç, G. P., 22 vjeç, dhe D. Th., 21 vjeç.
Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes u sekuestruan në cilësinë e provës materiale:
– 21 flakadanë të plasur;
– 1 bidon plastik 0.5 L, e mbushur me lëndë djegëse të dyshuar benzinë, me kapsollë të paplasur;
– 37 bidona plastikë uji, 0.5 L;
– 6 bidona plastikë të djegur, me aromë lënde djegëse benzinë;
– 3 kapsolla.
Gjithashtu, janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale 110 kapsolla, që iu gjetën këtyre shtetasve, gjatë kontrolleve fizike.
Strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë, vijojnë punën për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në akte të kundërligjshme gjatë protesës së ditës së djeshme.
Materialet i kaluan Prokurorisë pra Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.