Protesta e sotme e banorëve të fshatit Lumas,të cilët nuk janë ndalur dhe janë sot në ditën e tyre të 20-ë të protestës, ka degjeneruar në dhunë nga ana e policisë dhe përleshje fizike.
Që prej orëve të para të mëngjesit të sotëm, policia, duke u kërkuar banorëve të lirojnë rrugën që kishin bllokuar, është përleshur fizikisht me banorët si dhe ka ushtruar dhunë mbi ta.
Sipas banorëve-disa prej protestuesve janë lënduar dhe disa të të tjerë janë shoqëruar forcërisht në Komisariatin e Policisë,ndërkohë që nga ana e policisë nuk ka asnjë komfirmim zyrtar nëse ka protestues të shoqëruar apo jo.
Banorët e fshatit Lumas protestojnë prej rreth 2-muajsh për burimin e ujit të Sinecit dhe prej disa javësh ata kanë bllokuar edhe rrugët e fshatit, për të penguar mjetet e firmës kontraktuese që të vijojnë punën për ndërtimin e ujësjellësit.
Banorët deklarojnë se ky burim që ua ka falur natyra është burim jetese për ta dhe nuk do të lejojnë askënd që t’ua cënojë apo marrë.
Siç shihet dhe nga pamjet e siguruara nga Fax News, disa gra janë rrëzuar përtokë dhe kanë probleme me shëndetin pas përplasjeve që kanë pasur. Banorët janë në proçes gjyqësor me bashkinë Kuçovë dhe kërkojnë që punimet të pezullohen deri në marrjen e një vendimi nga ana e gjykatës.