Protesta e opozitës tek ish-sheshi Shqiponja është përshkallëzuar pasi disa qytetarë kanë djegur barrierat mbrojtëse ku po bëhen punime për rikualifikimin e sheshit si dhe kanë shembur hekurat rrethuese.
Ndërkohë që fillimi i protestës në këtë segment është shoqëruar me tensione disa minuta më parë pasi disa prej drejtuesve të mjeteve kanë tentuar të kalojnë që të mos qëndrojnë në trafik por që protestuesit kanë dalë përpara makinave të tyre.
Njëri prej shoferëve ka zbritur duke tentuar të përplaset me disa prej protestuesve diçka e cila për pak sa nuk ka përfunduar në konflikt fizik. Ka qenë ish-deputeti Fatmir Mediu ai që ka ndërhyrë duke e bindur qytetarin që të futej në makinë ndërkohë që nga ana tjetër ka qetësuar protestuesit.
Deri më tani përveç këtij incidenti, protesta në akset kryesore të vendit vijon e qetë dhe paincidente pasi me sa duket edhe drejtuesit e mjeteve kanë gjetuur mirëkuptim me protestuesit.
Ndërkohë protestës në Tiranë i janë bashkuar edhe banorët e Astirit të cilët kanë dalë në mbrojtje të banesave të tyre nga shembja për shkak të vijimit të ndërtimit të Unazës së Re prej më shumë se gjashtë muajsh.
Në Elbasan protestuesit kanë bllokuar kryqëzimin e Bradasheshit i cili është një arterie e rëndësishme rrugore për një pjesë të madhe të vendit.
Gjatë tubimit të tyre ata kanë djegur goma në mes të rrugës nga ku kanë bërë thirrje kundër qeverisë dhe kryeministrit Rama si dhe kanë kërkuar largimin e tij nga drejtimi i qeverisë (lexo këtu).
Nga Miloti Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i ka drejtuar një thirrje të hapur kryeministrit Rama për t’u larguar nga pushteti.
I mbështetur nga qindra qytetar të Milotit dhe të gjithë zonës së Veriut që u mblodhë në kryqëzimin e “Kosovës”, Basha ka konfirmuar dhe një herë se në 30 qershor nuk do të ketë zgjedhje.
Sipas tij, krim elektoral dhe zgjedhje farsë në Shqipëri nuk do të ketë më, duke u zotuar kështu përpara qytetarëve dhe mbështetësve të tij (lexo këtu).
(F.GJ/FAXWEB.AL)