Reshjet e shumta kanë shkaktuar mjaft probleme në Librazhd. Që nga nata e mbrëmshme dhe deri në këto momente reshjet sa vijnë dhe e rëndojnë situatën. Gjatë natës për shkak të sasive të shumta të shiut pusetat nuk kanë përballuar ujin dhe janë çarë duke krijuar problem në një farmaci në qytet , e cila është nën ujë.
Mësohet se ekipet e emergjencës kanë qenë gjithë kohën në gadishmëri për të bërë të mundur përmirësimin e situatës.
Ndërkohë ka patur rënie gurësh dhe dherash në disa akse si në Murrash, Dragostunjë, Hotolisht, Qukës, Pishkash etj.
Probleme ka patur dhe në aksin Librazhd-Zgosht , nga ku kanë rënë sasi të mëdha dherash dhe gurësh.
Ekipet vazhdojnë të punojnë pa ndërprerje për të mbajtur situatën nën kontroll.
Po kështu në Stravajn të Bashkisë së Përrenjasit një hidrocentral ka shpërthyer duke krijuar problem në një familje, ku uji ka vërshuar drejt saj. Po ashtu reshjet e shiut kanë dalë në tokat e bukës dhe kanë përmbytur edhe varrezat.
(F.G/Faxweb)